Haga e heton Zyrën e Qeverisë së Kosovës – kjo e fundit e konteston procedurën

Aktuale

Haga e heton Zyrën e Qeverisë së Kosovës – kjo e fundit e konteston procedurën

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 19:04
Selia e Gjykatës Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, është duke bërë hetime lidhur me rolin e Zyrës së Qeverisë së Kosovës (në Ministrinë e Drejtësisë) për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë Dhomave të specializuara, si dhe drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçi, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare dhe frikësim gjatë kryerjes së procedurës.

Kjo është pjesë e një dokumentit që ka të bëjë me kërkesën e avokatit të Lajçit, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit të intervistimit.

Lajçi është marrë në pyetje në Hagë, më 17 tetor, duke u mbrojtur në heshtje, ndërkaq që avokati i tij, Toby Cadman, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, ka paraqitur kërkesën lidhur me kushtetutshmërinë e procedurës gjatë intervistimit, që është edhe pjesë e dokumentacionit publik.

Megjithatë, në këtë moment, ai nuk ka mundur të flasë më shumë për përmbajtjen e asaj kërkese ose për çfarëdo aspekti tjetër të rastit, “marrë parasysh që kjo është çështje ‘sub juridice’”, gjegjësisht, një çështje që është në gjykatë.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në kërkesën publike, e cila për disa orë ka qenë e publikuar në faqen e internetit të Dhomës së Specializuar, por që më pas është larguar nga aty.

Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Dhomave të specializuara Angela Griep, kërkesa mund të tërhiqet nga faqja e internetit në rast se ekziston brengosja e palëve dhe më pas, pas shqyrtimit nga Dhoma kompetente, mund të publikohet sërish ose të klasifikohet si konfidenciale.

Megjithatë, në kërkesë thuhet që Lajçi, ndonëse ka insistuar, nuk ka qenë i informuar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë, për bazën e provave për dyshim se ka kryer vepër penale, ndërkaq që për pretendimet specifike nuk është njoftuar as gjatë intervistimit. Për këtë arsye, avokati i tij, Cadman, ka kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit, duke thënë se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve relevante.

Cadman, në kërkesën e tij, insiston edhe në vendosjen e praktikës, e cila do të mundësojë që të gjitha intervistimet e ardhshme “të jenë në përputhje me ligjin” dhe që intervistimi i Lajçit, më 17 tetor, të konsiderohet i paligjshëm dhe i papranueshëm.

Dhoma e Specializuar e Kushtetutës së Kosovës në Hagë është instanca e fundit për interpretimin e Kushtetutës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar. Cadman, në emër të Lajçit, i është drejtuar Dhomës së Specializuar të Kushtetutës së Kosovës, duke u thirrur në nenin e Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë që “individët mund të nisin procedurë, në rast se të drejtat dhe liritë e tyre që ua garanton Kushtetuta, shkelen nga ana e organeve publike, kur të gjitha mjetet juridike janë shterur”.

Ai, gjithashtu, konsideron që procedurat e miratuara për intervistimin, në përputhje me ftesën, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Rregulloren e procedurës dhe dëshmive të Dhomave të Specializuara, si dhe me obligimet e Kosovës dhe që Dhomat të veprojnë në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.

Në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, Prokuroria e Specializuar ka refuzuar të japë çfarëdo komenti.

Krimet kundër zbatimit të drejtësisë, gjegjësisht, krimet e kryera gjatë proceseve gjyqësore, siç janë: shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera, janë ndër kategoritë, mbi të cilat Gjykata Speciale ka kompetencë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe veprat tjera penale sipas ligjeve të Kosovës e që ndërlidhen me pretendimet në raportin e eurodeputetit Dick Marty, më 2011.

Siç thuhet në kërkesën e dorëzuar të avokatit Cadman, drejtuesi i Zyrës së Qeverisë së Kosovës, Driton Lajçi, në fund të shtatorit kishte marrë ftesën që më 17 tetor të paraqitet në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në lidhje me “hetimin zyrtar kriminalistik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, për shkak që “ekzistojnë arsye për të besuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale nën kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Pyetjes së Lajçit për prokurorin, se për çfarë pretendimesh specifike bëhet fjalë, si dhe ndaj kërkesës së tij që para intervistimit në Hagë të jetë i informuar për veprat penale të pretenduara, në mënyrë që të jetë i vetëdijshëm për përgjigjet që do të kërkohen nga ai lidhur me bazën e pretendimeve, Prokuroria e Specializuar, përmes postës elektronike, i është përgjigjur që “me ligj nuk është e paraparë që në këtë moment të japin detaje lidhur me provat, të cilat i disponon Prokuroria”.

Megjithatë, në këtë përgjigje thuhet që Prokuroria “po e heton rolin e zyrës(së Lajçit) dhe vetë Lajçin për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë shkeljen e neneve të Kodit Penal të Kosovë, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose të procedurave zyrtare, si dhe frikësimit gjatë zhvillimit të procedurës”.

Marrë parasysh që prokurori nuk e ka zbuluar materialin e dëshmive, gjë që, siç thuhet në kërkesë, do t’i ndihmonte avokatit që ta këshillojë klientin e tij në mënyrën e duhur, Lajçi ka vendosur që të refuzojë të përgjigjet ndaj pyetjeve në ditën e intervistimit. Për këtë refuzim ka qenë i njoftuar edhe vetë prokurori para intervistimit, kur e kishte kontaktuar avokatin e atëhershëm të Lajçit, Artan Qerkinin, përmes telefonit, të cilin e kishte pyetur se a planifikon Lajçi që të mos ofrojë informacione gjatë intervistimit.

Intervistimi i Lajçit, më 17 tetor, kishte zgjatur rreth një orë dhe ndaj secilës pyetje, ai ishte mbrojtur në heshtje.

Avokati Qerkini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që edhe më tej mbetet pranë deklaratës së tij që Prokuroria ishte e interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë gjykatës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat