Mbrojtje ligjore falas për të gjithë gazetarët

Aktuale

Mbrojtje ligjore falas për të gjithë gazetarët

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 12:57
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Oda e Avokatëve të Kosovës me ceremoni solemne ka shënuar sot 46 vjetorin e themelimit, ku u premtua se do të jenë roje të zbatimit të ligjit.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, tha se Oda ka shënuar suksese në vazhdimësi, derisa ka premtuar se do të angazhohet që Oda të ketë shtrirje edhe ndërkombëtare.

Havolli: Do të jemi gardian dhe roje e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe roje të zbatimit të ligjit

“Oda dhe organet e saj drejtuese tani janë pjesë e të gjitha zhvillimeve juridiko-ligjore në ngritjen dhe avancimin e vazhdueshëm të sistemit ligjor në Kosovë. Janë pjesë përbërëse në trupat profesionale në sistemin e drejtësisë, në Ministrinë e Drejtësisë, në institucionet e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe çdo kund Oda e Avokatëve të Kosovës është prezentë, është prezentë me njerëzit e saj duke dhënë këshilla, analiza dhe kontribute të vazhdueshme të cilat janë marrë për bazë dhe janë mishëruar dhe janë futur në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Ne tani sot jemi bërë një shtëpi e madhe dhe vazhdojmë edhe më tutje në rrugëtimin tonë të cilën na e trasuat ju paraardhësit tanë dhe iu garantojmë dhe iu japim premtimin se neve do të jemi gardian dhe roje e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe roje të zbatimit të ligjit dhe do të përkujdesemi në misionin tonë të shenjtë. Në këtë ditë të veçantë të shënuar, iu konfirmojë edhe një herë se ndër të gjithë të barabartë, unë si kryetar i OAK do të përkujdesem dhe do të jap angazhimin tim maksimal që refleksioni i Odës të ketë shtrirje vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.

Në shënimin e 46 vjetorit të Odës së Avokatëve, mori pjesë edhe zëvendëspresidenti i Këshillit të Odave të Avokatëve të Evropës, Ranko Pelicaric, i cili tha se mbushja e 46 viteve të veprimtarisë së Odës tregon forcës e saj në raport me pushtetin.

Pelicaric: 46 vjet janë shumë dhe këtu qëndron edhe forca e pozitës suaj në raport me pushtetin

“46 vjet janë shumë dhe këtu qëndron edhe forca e pozitës suaj në raport me pushtetin në shtetin tuaj. Ajo çka zakonisht në këto raste e rekomandojë dhe avokatëve nuk ka nevojë t’ua rekomandojmë, kjo është mos u dorëzoni, së bashku jemi në Evropë mbi 1 milionë, të gjithë jemi të organizuar në diçka që do të mund të quhej Oda ekonomike e Kosovës ndonëse quhet asociacion i të gjitha odave të Evropës. Sot jemi 45 pas dy, tre viteve do të jemi 47 dhe do ta rrumbullakojmë kështu numrin dhe do të jemi diku rreth 1 milion e 150 mijë avokatë në Evropë. Kjo është një forcë që i nevojitet secilës nga odat tona të vogla, qoftë në Francë, Kosovë apo kudo qoftë, secila është tepër e vogël në situata të pazakonta ku sillen avokatët në raport me pushtetin”, tha ai.

Në ceremoninë mori pjesë edhe avokati nga Britania e Madhe, Huë Boden Jones, i cili u shpreh se Oda e Avokatëve të Kosovës është shumë profesionale.

Jones: Avokatia në Kosovë qëndron e fortë

“Avokatia në Kosovë  qëndron e fortë, në mënyrë që secilit qytetarë t’i ofrohet një gjykim i drejtë dhe sipas konventës evropiane për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Në këtë 46 vjetor, OAK ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), ku mbështetja ligjore e shumë munguar për trajtimin e të gjitha rasteve të gazetarëve, pritet të lehtësohet me nënshkrimin e këtij memorandumi.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli, u shpreh se përmes këtij memorandumi të gjithë gazetarëve do t’iu mundësohet mbrojtje ligjore falas.

Begolli: Përfaqësimin ligjor dhe mbrojtje ligjore falas për të gjithë gazetarët

“Ka të bëjë me përfaqësimin ligjor dhe mbrojtje ligjore falas për të gjithë gazetarët që nuk kanë mundësi të mbrohen. Pra, përmes këtij memorandumi të gjithë kolegët tanë për herë të parë në mënyrë institucionale tani në një farë forme kanë të siguruar mbrojtjen e tyre ligjore dhe konsulta ligjore falas. Marrë parasysh që e dimë të gjithë ne, të gjithë kolegët tanë ka shumë raste që kërcënohen dhe që atakohen gazetarët në forma të ndryshme, apo ndoshta ka edhe shumë raste të ndryshme që iu privohet e drejta e tyre, madje edhe në vendet e tyre të punës. Siç e thash edhe më herët për herë të parë arrihet në mënyrë institucionale që ne gazetarët kur kemi probleme të tilla të natyrave të ndryshme mos ta kenë gajle se kush do të na përfaqësojë ligjërisht, por ta kemi mbrojtjen ligjore falas”, tha ajo.

Po ashtu, në shënimin e këtij përvjetori është bërë edhe ndarja e fondit të bamirësisë për fëmijët e diagnostikuar me kancer.

Në shënimin e përvjetorit të 46 të Odës së Avokatëve të Kosovës morën pjesë edhe përfaqësues nga Odat e Avokatëve nga Shqipëria, Turqia, Kroacia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Memorandum Bashkëpunimi AGK-OAK:  Nga sot gazetarët do të kenë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas

Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre.”, thuhet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.

Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej kolegëve tanë, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.

“Në një klimë të këtillë ku kemi dhjetëra raste të kërcënimeve, privimit të së drejtës së gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre, mbrojtja ligjore falas ka qenë më shumë se e domosdoshme. Falënderoj kreun e OAK-ut, Osman Havolli i cili pati gatishmëri që në 46 vjetorin e themelimit të OAK-ut ta nënshkruajmë këtë Memorandum Bashkëpunimi.”, ka thënë pos tjerash Begolli-Pustina.

Ky është një hap më shumë në përpjekjet e AGK për t’ju dalë në ndihmë anëtarëve të vet me qëllim të krijimit të një ambienti më të lehtë të punës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat