Gjykata Speciale e pakthyeshme, me ngritjen e aktakuzave paralajmërohet zbehje e skenës politike

Aktuale

Gjykata Speciale e pakthyeshme, me ngritjen e aktakuzave paralajmërohet zbehje e skenës politike

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 13:52
Gjykata Speciale

Shoqëria civile tani e sheh si problematik rikthimin e Gjykatës Speciale për vlerësim në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas tyre legjislativi nuk ka më kompetenca të merret me këtë gjykatë.

Por, në rast se Gjykata Speciale rikthehet, ata thonë se legjislatura e ardhshme duhet ta pranojë, pasi nëse tentohet të kundërshtohet, kjo do të jetë një “vetëvrasje” për shtetin e Kosovës, respektivisht për raportet e me SHBA-në, BE-në dhe shtetet mike.

Drejtori Ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, Artan Demhasaj, tha se shumë shpejt pritet të ngriten aktakuzat ndaj të dyshuarave.

Prandaj siç tha ai në një situatë të tillë është problematike të kthehet Gjykata Speciale për vlerësim në Kuvend.

“Është problem të kthehet për vlerësim për faktin se ne kemi hartuar disa ligje në Kuvendin e Kosovës të cilat i kanë themeluar dhomat e specializuara dhe iu kanë jep kompetenca për të vepruar. Janë zhvilluar një numër i madh i intervistave qoftë si të dyshuar apo dëshmitarë. Tani ka ardhur procesi ku pritet të ngritën aktakuzat e para. Ne një situatë të tillë të kthehet ligji për vlerësim është problematike”.

“Por për ta bërë një rivlerësim të Gjykatës në një situatë që kemi 4 vite që funksion mund të jetë problem në aspektin e faktorit ndërkombëtar i cili mundet të reagoj shumë keq. Ashtu siç ka reaguar kur është tentuar me u shpërbë Gjykata Speciale përmes Kuvendit të Kosovës”.

Ndër të tjera, Demhasaj tha se nëse një pjesë të të dyshuarve u ngritën aktakuzat atëherë kjo gjë do ta zbeh skenën politike në vend.

“Është problematike që një situatë e tillë me tentua me e zhbë Gjykatën Speciale sepse dëmi do të jetë më i madh se sa kur është bërë Gjykata. Në momentin kur fillojnë me u ngritë aktakuzat atëherë mbetet me u parë se në çfarë niveli do të ngritën. Potencialisht duke marrë parasysh numrin e madh e të intervistuarve, nëse një pjesë e tyre ngritën aktakuza në një mënyrë do ta zbehin skenën politike të vendit”, ka thënë Demhasaj.

Kurse drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se Kosova duhet të përmbushë obligimet ndërkombëtare që ka marrë.

Ai tha se legjislatura e re duhet ta lejoj funksionimin e Gjykatës në mënyrë që mos të ketë plasaritje ndërmjet Kosovës dhe shteteve që e kanë ndihmuar të themelohet kjo gjykatë.   

“Me përpjekjen e disa deputetëve për shfuqizimin e kësaj gjykatë apo çdo përpjekje eventuale e deputetëve të rinj të legjislaturës së ardhshme, qoftë për ta shpërbërë gjykatën apo për ta bërë vlerësimin e kompetencave apo përgjegjësive të kësaj gjykate. Kjo do të ishte një vetëvrasje për shtetin e Kosovës, respektivisht për raport e Kosovës me ShBA, BE dhe shtetet mike që e mbështesin Kosovën”.

“Mund te themi që Gjykata Speciale e Kosovës është punë e kryer dhe është në vlugun më të madh të punëve duke filluar më një numër të madh të personave që janë duke u ftuar pothuajse në baza ditore. Qoftë në cilësinë e dëshmitarëve, apo të pandehurve”.

“Andaj Kosovës nuk i mbetet tjetër veç se të përkrah dhe të përmbushë obligimet ndërkombëtare në bazë të kushtetueses dhe ligjit. Deputetët të cilët do të zgjidhen në legjislaturën e re, krejt çka mund të bëjnë është që mos të pengojnë këtë gjykatë në ushtrimin e funksionimit të saj që mos te kemi një plasaritje të re mes Kosovës dhe shteteve që kanë përkrahur dhe kanë kërkuar nga Kosova që të themeloj këtë gjykatë së bashku edhe me shtetin e Holandës”.

Sipas tij, ngritja e aktakuzave do të zbehet skena politike në vend, raporton EO.

“Krerët kryesor që kanë udhëhequr deri me sot në Republikën e Kosovës që kanë pasur një rol më të madh në UÇK, qoftë në mediet vendore apo ndërkombëtare që po bëhet lajm që janë duke u ftuar nga Gjykata Speciale. Varësisht se kur kjo gjykatë do të filloj me ngritjen e aktakuzave ndaj personave që mund të jenë subjekt i kësaj gjykate, e kjo mund të ndikoj në skenën politike të Kosovës duke marr për bazë raportin e  Dicky Marty dhe ftesat që janë duke ardhur”, tha Miftaraj. Speciale u formua në vitin 2015, pas një presioni të vazhdueshëm ndërkombëtar, për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që supozohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërmjet viteve 1998 dhe 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat