Merovci: Komisionerët mos të jenë militantë të partive, ata të zgjidhen me konkurs - Bota Sot
Merovci: Komisionerët mos të jenë militantë të partive, ata të zgjidhen me konkurs

Aktuale

Merovci: Komisionerët mos të jenë militantë të partive, ata të zgjidhen me konkurs

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 12:52
Adnan Merovci

Janë bërë më shumë se një muaj prej ditës kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, janë më shumë se 1000 vendvotime të cilat po rinumërohen. E, problemi më i madh i këtij procesi zgjedhor, po konsiderohet  pikërisht numërimi i votave të qytetarëve.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Adnan Merovci thotë për KosovaPress se në Kosovë duhet të ketë një reformë teknike zgjedhore.

Sipas tij vendi duhet të ketë një kod zgjedhor, që të gjitha sfidat të përshtaten me  procesin zgjedhor.

Merovci thotë se ka pasur shumë parregullsi në numërimin e votave, ndërsa propozon që komisionerët të zgjidhen me  konkurs publik, e jo të jenë militantë të subjekteve politike.

Merovci thotë se fajin kryesor për këto parregullsi e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Merovci: KQZ duhet të pranojë fajin e saj

“E para është KQZ-ja, që duhet ta pranojë fajin e vet dhe ajo me disa shtypje të disa listave të gabueshme. Kjo është faktori njeri, kush punon gabon, mirëpo nuk mundet tash të lavdërohet KQZ-ja, por të fajësohet se kjo është shmangie. E dyta subjektet politike duhet që komisionarët e vet të mos i ngashënjejnë që të jenë militantë. Bile të disa kandidatëve të caktuar. Ata janë të partive të caktuar dhe favorizojnë disa kandidatë, dhe kjo i shkakton disa momente. Mund të ndikojnë në prishje të rezultatit sepse e bëjnë të pavlefshëm fletëvotimin me gabime, që munden ta bëjnë. Çështja tjetër është e animit dhe mospërputhja e votave të kandidatëve me numrin e subjektit që shkakton përputhje prapë. Dhe kjo shkakton një ngecje dhe jemi këtu ku jemi”, thotë Merovci.

Derisa ka folur për reformë zgjedhore, Merovci nuk e sheh si zgjidhje numërimin direkt në QNR, pasi sipas tij edhe në këtë rast do të kishte shumë parregullsi.

 Ai thekson se duhet të ndryshohet edhe përqindja e pragut zgjedhor.

Merovci: Për demokracinë tonë pragu do të duhej të ishte selektiv

“Për demokracinë tonë pragu do të duhej të ishte selektiv. 5 përqind me qenë koalicionet, 3  përqind subjektet politike dhe 1  përqind kandidatët e pavarur. A ka sot në Kosovë që është zgjedhur një kandidat i pavarur?  Ka Kosova njerëz që kishin marrë vota të pavarura sikur të ishte një prag më i tejkalueshëm. Ti që të bëhesh deputet sot me këtë sistem zgjedhor, duhet t’i marrësh votat e shtatë deputetëve, komplet të pragut të tij. Që i bie të kalosh pragun 5 përqin, minimum 43 mijë vota. Mos të them se edhe çështja e pragut ka shkaktuar probleme”, shton Merovci.

Mervoci thotë se vendi prapë mund të shkojë në zgjedhje , jo për shkak të procesit zgjedhor por për shkak të dështimit të formimit të Qeverisë.

Merovci: Është dëmtim i madh i Kosovës

“Po ka mundësi nëse nuk krijohen institucionet, jo si rezultat i certifikimit, se nuk mund të shkohet në zgjedhje tjera pa u certifikuar këto zgjedhje. Por, si rezultat i mosarritjes në mënyrë ligjore të konstituimit dhe dihen format. Subjekti i parë me tentimin e parë nuk mund ta bëjë Qeverinë edhe tentimi i dytë dështon dhe me automatizëm shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet e përsëritura më së paku i duhen Kosovës, është një rezultat dhe një moment jashtëzakonisht prekëse që shumë pak përmendet tek ne, që është kostoja. Pesë, gjashtë milionë i duhen shtesë, pesë-gjashtë milionë janë goxha para të mëdha dhe dëmtim i madh i Kosovës”, deklaron ai.

Votimi me postë sipas Merovcit është mënyrë jo e mirë, për shkak të parregullsive dhe vështirësive.

Albin Kurti, i cili po synon qeverisjen e re të ekzekutivit, ka premtuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, votimi i mërgatës do të bëhet në konsullata, e jo përmes postës. Për këtë Merovci thotë se do të ishte një mënyrë e mirë për t’iu shmangur parregullsive.    

Ndryshe, aktualisht me vendim të PZAP-it janë duke u rinumëruar 1428 vendvotime, ku deri dje kanë përfunduar vetëm 50 përqind të tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat