Pasi që u ankua Haradinaj se shteti i ka borxh, reagon edhe zyra e tij

Aktuale

Pasi që u ankua Haradinaj se shteti i ka borxh, reagon edhe zyra e tij

Nga: A.M. Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 16:38
Ramush Haradinaj

Në mediat vendore u publikuan shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit, si dhe borxhin që shteti ia ka Kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, pasi që kishte paguar2800 dollarë me parat e tij një hoteli në Amerikë.

Lidhur më këtë çështje ka reaguar zyra e kryeministrit të Kosovës, ku në reagim thuhet se “Në këtë kontekst, për hir të informimit të drejtë, shpenzimet për periudhën dyvjeçare të stafit politik të zyrës së Kryeministrit Haradinaj të cilat janë përgatitur nga Zyra për Buxhet dhe Financa dhe janë dërguar nga Zyra e Komunikimit, në shumicën e kategorizimeve janë të përgjithësuara dhe nuk korrespondojnë me shpenzimet e kryeministrit dhe shpenzimet individuale të stafit politik”.

Reagim i Zyrës së Kryeministrit:

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, gjatë periudhës dy vjeçare, ka kryer obligimet kushtetuese në qeverisje në vend dhe përfaqësim shtetëror jashtë vendit.

Në përputhje me këto detyra dhe përgjegjësi kushtetuese, të gjitha shpenzimet, si: reprezentacion, akomodim jashtë vendi, aviobileta, fatura të shpenzimeve të paguara me kredit kartelë si dhe shpenzimet e tjera janë të regjistruara në zyrën e financave, për çdo pjesëtarë të stafit  në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, në kryerjen e funksionit publik.

Me ndryshimin e ligjit për qasje në dokumentet zyrtare, përgjegjësia për dhënien e qasjes në dokumente zyrtare, ka kaluar në shërbimin civil pranë Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë kontekst, për hir të informimit të drejtë, shpenzimet për periudhën dyvjeçare të stafit politik të zyrës së Kryeministrit Haradinaj të cilat janë përgatitur nga Zyra për Buxhet dhe Financa dhe janë dërguar nga Zyra e Komunikimit, në shumicën e kategorizimeve janë të përgjithësuara dhe nuk korrespondojnë me shpenzimet e kryeministrit dhe shpenzimet individuale të stafit politik.

Në të dhënat tabelare, tek kategoria dreka, që i është dërguar dy mediumeve kosovare, si përgjigje ndaj kërkesës për qasje në dokumentet zyrtare, e tërë shuma e shpenzimeve përfshirë pritjet zyrtare, shtetërore, protokollare dhe ceremoniale për mysafirë vendorë dhe delegacione të huaja, në emër të Republikës së Kosovës, i është ngarkuar Kryeministrit Haradinaj.

Në këtë shumë, p.sh përfshihen pritjet e Ambasadorëve, Ministrave e Kryeministrave, shpenzimet për inaugurimin e Autostradës “Arbër Xhaferi”, pritje për fondin MCC dhe të tjera ceremoni solemne të kësaj natyre.

Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës.

Në pasqyrimin publik të shpenzimeve, gjithmonë në shpjegimin objektiv të tyre, duhet të merret parasysh edhe dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat