Haradinaj për faturat për dreka: Është rrenë e kulluar

Aktuale

Haradinaj për faturat për dreka: Është rrenë e kulluar

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 17:38
Ramush Haradinaj

Rrenë të kulluar i ka quajtur kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, publikimin në media të disa faturave që dëshmojnë se gjatë qeverisjes së tij janë shpenzuar 506.779.22 euro vetëm për dreka.

Haradinaj ka deklaruar se ato fatura janë interpretuar në mënyrë të gabuar dhe se ato para janë shpenzuar për reprezentacion shtetëror.

Haradinaj: Faturat për dreka, rrenë e kulluar

“Është rrenë e kulluar, nuk është ashtu. Shikoni, shteti ka reprezentacion shtetëror, ne presim palë, ne mbajmë pritje shtetërore, ne udhëtojmë jashtë vendit, pra ka reprezentacion shteti, nuk janë dreka e darka të kryeministrit. Ato që i kam pa unë në media është rrenë, pra është dhënë në mënyrë të gabuar informata”, u shpreh ai.

Ai tha se përmbledhja që është bërë se mbi 50 mijë janë harxhuar në dreka e darka është rrenë, megjithatë publikimin e faturave e ka quajtur sukses, pasi sipas tij është çdo gjë që shpenzohet duhet të dihet.

Haradinaj: Përmbledhja qysh janë harxhuar 50 mijë euro dreka e darka është rrenë

“Edhe ky është një sukses se nuk ka më fshehtë, gjithçka do të dihet se çka do që harxhohet, transparente. Pra, ne i kemi dhënë krejt faturat, çdo gjë do t’i japim për gazetarët për t’i analizuar, të shihen të gjithë çka, ku, si, qysh. Por, përmbledhja qysh është bërë se janë harxhuar 50 mijë euro dreka e darka është rrenë”, tha Haradinaj.

Kritika të shumta në adresë të kryeministrit në largim janë adresuar edhe nga qytetarë dhe shoqëria civile në vend.

Allen Meta nga D4D, thotë se këto shpenzime janë të larta dhe se institucionet e vendit nuk duhet të kenë shpenzime të tilla.

Ai përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it, se qeveritë e ardhshme të vendit nuk duhet të bëjnë shpenzime të tilla.

“Kjo nuk është hera e parë që kryeministrit i dalin disa shpenzime mjaft të larta, ku edhe disa herë ka tentuar t’i arsyetojë, mirëpo shoqëria civile, po edhe akterët e tjerë e kanë pa që këto shpenzime kanë qenë mjaft të larta dhe si të tilla besoj që institucionet nuk duhet të kenë. Shpresojmë që qeveritë e ardhshme t’i kenë si mësim këto çka ka ndodhur deri më tash, dhe t’i marrin si mësime dhe t’i praktikojnë në ndryshimin e tyre duke i zbutur këto fatura”, tha ai.

Sa i përket arsyetimit se shuma prej 506.779.22 përfshinë edhe pritje shtetërore, Meta thotë se gjithmonë institucionet përdorin arsyetime të tilla.

“Deklarimet e tyre gjithmonë janë mbi atë që si të arsyetojnë këtë pjesë, mirëpo arsyetimet e tilla mbi faturat e larta të shpenzimeve veç se mund këtë pjesën e dyshimit te shoqëria se mund të ketë ndodhur edhe keqpërdorime. Mirëpo, ne shpresojmë që keqpërdorimet të mos kenë ndodhur dhe shpresojmë që këto shpenzime të ulen nga qeveritë e ardhshme”, tha ai.

Një reagim rreth këtyre faturave e ka bërë edhe Zyra e kryeministrit, ku thuhet se të gjitha shpenzimet, si: reprezentacion, akomodim jashtë vendi, avio-bileta, fatura të shpenzimeve të paguara me kredit kartelë, si dhe shpenzimet e tjera janë të regjistruara në zyrën e financave, për çdo pjesëtar të stafit  në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, në kryerjen e funksionit publik.

Me ndryshimin e Ligjit për qasje në dokumentet zyrtare, përgjegjësia për dhënien e qasjes në dokumente zyrtare, ka kaluar në Shërbimin civil pranë Zyrës së kryeministrit.

“Në këtë kontekst, për hir të informimit të drejtë, shpenzimet për periudhën dyvjeçare të stafit politik të Zyrës së kryeministrit Haradinaj, të cilat janë përgatitur nga Zyra për Buxhet dhe Financa dhe janë dërguar nga Zyra e Komunikimit, në shumicën e kategorizimeve janë të përgjithësuara dhe nuk korrespondojnë me shpenzimet e kryeministrit dhe shpenzimet individuale të stafit politik. Në të dhënat tabelare, te kategoria dreka, që i është dërguar dy mediumeve kosovare, si përgjigje ndaj kërkesës për qasje në dokumentet zyrtare, e tërë shuma e shpenzimeve përfshirë pritjet zyrtare, shtetërore, protokollare dhe ceremoniale për mysafirë vendorë dhe delegacione të huaja, në emër të Republikës së Kosovës, i është ngarkuar kryeministrit Haradinaj. Në këtë shumë, p.sh. përfshihen pritjet e ambasadorëve, ministrave e kryeministrave, shpenzimet për inaugurimin e autostradës “Arbër Xhaferi”, pritje për fondin MCC dhe të tjera ceremoni solemne të kësaj natyre”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat