Kusari-Lila ia “shuan” shpresat LDK-së për postin e Presidentit

Aktuale

Kusari-Lila ia “shuan” shpresat LDK-së për postin e Presidentit

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 21:12
Mimoza Kusari- Lila

Mimoza Kusari-Lila, që fitoi votat për deputete në radhët e Vetëvendosjes, është e panevojshme që tash të diskutohet posti i presidentit në negociatat e VV-së me LDK-në për formimin e qeverisë

Posti i presidentit do t’i takoj një individi dhe interesi i qytetarëve të Kosovës është më i gjerë se kaq, thotë ajo.

Ajo beson se dy partitë do të finalizojnë me sukses diskutimet për qeverinë e ardhshme.

“Nuk ka të bëjë këtu me çështje tekesh, ka të bëjë me çështje parimesh të domosdoshme, tash të thuhet edhe presidenti edhe kryeparlamentari... Unë besoj që bëhet dhe mundësitë janë shumë të mëdha që ky koalicion të finalizohet me sukses. Ajo që besoj është shumë e rëndësishme është se po vendoset një standard i mirë i qeverisjes”, ka thënë Kusari Lila.

“Prej këndit si e shoh unë, është e panevojshme që të jetë në këtë fazë meqë ne jemi duke u ballafaquar me shumë probleme që i ka lënë qeverisja e kaluar, ato çka i ka bërë ajo qeveri nuk janë ndalur më 6 tetor. Presidenti aktual në zyre e ka mandatin deri në 2021, atëherë pse të mos pritet”, ka thënë tutje ajo.

Sipas saj, meqë mandati i presidentit nuk është i menjëhershëm, atëherë fokusi duhet të jetë në sferat tjera si ekonomia dhe reformat tjera, të cilat janë prioritete të qytetarëve të Kosovës.

Për postin e kryeministrit, Kusari-Lila ka thënë se dy partitë ishin marrë vesh që kushdo që ka më shumë vota, ai merr këtë post.

“Marrëveshja ka qenë që ai kandidat që ka më shumë vota, ai votohet për kryeministër, është çështje parimesh. Ne e dimë se procesi zgjedhor kur përfundon, presidenti i shtetit mandaton në këtë rast z. Kurti”.

“Unë besoj që ka kohë të arrihet marrëveshja, nëse ekziston pajtueshmëri parimore që të trajtohet ose të konsiderohet se në këtë rast LDK insiston ta ketë postin e presidentit, që të mos jetë e kushtëzuar sepse pastaj edhe qeverisa kushtëzohet në çdo hap dhe veprim”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat