Kurti tregon kur rritet paga minimale

Aktuale

Kurti tregon kur rritet paga minimale

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 14:47
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tryezë të përbashkët me përfaqësues të sindikatave në Kosovë. I pari i kësaj partie, njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti kërkoi fuqizimin e sindikatave, me qëllim mbrojtjen e drejtave të punëtorëve.

Ai sindikalistëve iu ka paraqitur disa nga vendimet e ardhshme të qeverisë së tij, siç është krijimi i Gjykatës së Punës, kontratën kolektive dhe rritjen inspektorëve të punës.

Lideri i VV-së theksoi se qysh në ditët e para në krye të ekzekutivit do të fillojnë dialogun social për të marrë vendimin për rritje të pagës minimale.

Kurti: Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara

“Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme. E sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtorët nga arbitrariteti i punëdhënësit duke përfshirë edhe shtetit si punëdhënës. Kontratat në vendin e punës, respektimin e orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera, duhet të garantohen nga shteti por duhet edhe të mbrohen së bashku me sindikatat. Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara”, tha Kurti.

Image

 Kurti tregoi edhe disa nga veprimet që do të ndërmarrin si qeveri e ardhshme. Sipas tij, paga minimale do të përcaktohet mbi numrin e orëve dhe do të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës.

Kurti: Paga minimale duhet të ngritet varësisht nga rritja e pagës mestarë në sektorin privat

“Ekonomia formale që synon të sjell punëdhënësin dhe punëtorët brenda ligjit. Rritja e inspektorëve të punës, krijimi i Gjykatës së Punës, do të jenë hapa që do të mbrojnë punëtorët dhe fuqizojnë sindikatat. Ne e mbështesim kontratën kolektive si kontratë të punëdhënësit mes punëtorëve që e rregullon të drejtën dhe obligimet. Paga minimale duhet të ngritet varësisht nga rritja e pagës mesatare në sektorin privat dhe me lëvizjen e kostos së shportës familjare. Duhet synuar paga minimale sektoriale” u shpreh Kurti.

Përfaqësues të sindikatave që kishin ardhur në këtë tryezë, shprehën qëndrimet e tyre për fuqizimin e organizimit sindikal dhe problemet e tyre.

Nga sindikata e KEK-ut, Nexhat Lluminca kritikoi ligjin e ri për paga dhe kontratën për termocentralin Kosova A.

Image

Lluminica: Ligji për paga është antikushtetues

“Ligji për paga është antikushtetues për arsye se cenon ekonominë e tregut të lirë. Kur them kështu është se kur një ndërmarrje ka të drejt me avancuar një punëdhënës apo ekspert, këtu i kufizohet sepse nuk mund të punësojë ashtu siç duhet. Ligji për paga është në shpërpushje me ligjin e punës. Po flas në amendamentet kur përshihen ndërmarrjet publike”, tha ai.

E kryetari i sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj kërkoi fuqizim të sindikatës dhe bashkim për qëllime të mbrojtjes së punëtorëve.

Balaj: Bashkimi i sindikatave është me mbrojt njëri-tjetrin

“Ky është bashkimi i sindikatave, kjo është me mbrojt secili njëri-tjetrin. E jo me thanë dikush po e sulmon menaxhmentin, dikush bordin. Duhet me i sulmuar të gjithë për të mbrojt të drejtën e punëtorit. Të gjithë se jemi më të nëpërkëmburit në Kosovë. Prandaj duhet të bëhemi bashkë, ligjet e dina se janë shkel, por çka kemi bërë ne me i mbrojt ato ligje. Sa jemi bashkuar njëri-tjetrit në protesta, asnjëherë”, tha Balaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat