GLPS kërkon që gjyqtarët e prokurorët t’i nënshtrohen vetingut

Aktuale

GLPS kërkon që gjyqtarët e prokurorët t’i nënshtrohen vetingut

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 12:13
GLPS

GLPS mendon që ka ardhur koha që zyrtarët në të lartë të institucioneve më të ndjeshme të vendit t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Sipas tyre, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë siç janë ata të policisë, të prokurimit dhe doganave duhet të hyjnë përmes filtrit të vetingut.

Arbëresha Loxha nga kjo organizatë deklaroi se vetingu është e vetmja formë për të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë njerëz të cilët kanë të kaluar të dyshimtë, që janë të lidhur me qarqe të korruptuara apo janë të korruptuar direkt dhe nuk janë të mjaftueshëm profesionalë dhe të dëshmuar me vendimet e tyre.

Loxha tha se GLPS konsideron që qeveria e re duhet të ketë prioritet fillestar fillimin e vetingut për sistemin e drejtësisë që duhet të nisë me një konsensus të gjerë politik dhe publik përfshirë partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe faktorin ndërkombëtar që ka për fokus fushën e sundimit të ligjit.

Po ashtu, ajo përmendi rëndësinë që procesi i vetingut duhet të jetë i dizejnuar nga njerëz kompetentë të konsultuara me standarde ndërkombëtare dhe të rajonit dhe që të jetë një proces transparent.

Loxha: Vetingu duhet të jetë transparent

“Procesi i vetingut duhet të jetë transparent dhe të mos adresohet kundër peronave specifikë por kundër dukurisë së abuzimit, mungesës së pavarësisë gjyqësore dhe prokuroriale dhe luftës ndaj përdorimit të pushtetit të drejtësisë. [...] GLPS kërkon që procesi i vetingut të përfshijë elementin ndërkombëtarë përmes pjesëmarrjes së personave jo diplomatikë por profesionalë të cilët do të përfshihen në trupa të cilat do ta ushtrojnë vetingun sikur ka ndodhur në rastin e Shqipërisë”, tha ajo.

Loxha u shpreh se procesi i vetingut duhet të realizohet brenda një afati prej katër vitesh dhe në asnjë mënyrë të mos lejohet tejzgjatja siç po ndodhë në Shqipëri.

Ndërsa, Rreze Hoxha nga e njëjta organizatë deklaroi se vetingu në sistemin e drejtësisë duhet të jetë një reformë substanciale e cila do të vazhdojë të ekzistojë si mekanizëm edhe pas përfundimit të saj për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj dhe për ata që raportohen se kanë probleme me ligjin.

Në vlerësimin GLPS, Hoxha tha se vetingu në sistemin e drejtësisë duhet të ketë së paku tre komponentë. Atë të integritetit, komponenti profesional dhe ai i pastërtisë së pasurisë së tyre.

Hoxha: Vetingu duhet të ketë tre komponentë

“I pari është komponenti i integritetit përmes së cilit bëhet vlerësimi i të kaluarës së gjyqtarit dhe prokurorit në kuptimin e afërsisë së tij me qarqet që kanë probleme me ligjin, lidhjen e tij/saj me persona që kanë ndikim të kundërligjshëm në sistemin e drejtësisë, korruptimin për administrimin e rasteve të caktuara apo abuzim të paqëllimshëm me pushtetin e drejtësisë. Komponenti i dytë është komponenti profesional përmes së cilëve gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’ju vendosin në filtër një numër reprezentativ i vendimeve gjyqësore dhe prokuroriale dhe do të analizohet nëse ato përbëjnë shkelje të etikës, standardeve profesionale, kanë mungesë njohurish apo shkathtësish që lidhen me profesionin apo demonstrojnë dukshëm të papërgjegjshëm që nuk e arsyeton karakterin e paanshëm dhe të drejtë të detyrë së tyre. Komponenti i tretë është komponenti i integritetit e pastërtisë së pasurisë së tyre përmes së cilës kontrollohet pasurimi i tyre dhe qarqeve të lidhura me ta në mënyrë që të garantohet që figura e gjyqtarit dhe prokurorit nuk përbëjnë elemente me pasurimin e paligjshëm që është standard esencial i përshtatshmërisë në detyrën që ata e ushtrojnë”, tha Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat