Albert Krasniqi nga shoqëria civile ka reaguar lidhur me votuesit që jetojnë jashtë vendit, e që në zgjedhjet e fundit kanë votuar përmes postës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka propozuar ndryshime sa i përket votimit jashtë vendit përmes postës, përcjell Bota sot.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Votimi jashtë vendit përmes postës
Në listën e votuesve në Kosovë llogaritet të jenë rreth 400 mijë votues që jetojnë jashtë vendit, të cilët përbëjnë rreth 22% të numrit të përgjithshëm të votuesve me të drejtë vote. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanë votuar rreth 20 mijë prej tyre, që përbëjnë rreth 2.4% e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve në zgjedhje.
Për të lehtësuar dhe siguruar integritetin e zgjedhjeve, në Kosovë duhet të parashihen disa ndryshime sa i përket votimit jashtë vendit përmes postës, që mund të jenë:
1. Afati për zgjedhje të jashtëzakonshme duhet të zgjatet në të paktën 60 ditë;
2. Të drejtë të votës duhet të kenë vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dokumente të vlefshme të identifikimit;
3. Aplikimi për regjistrim jashtë vendit duhet të mundësohet online përmes krijimit të një databaze të veçantë për të ngarkuar të gjitha të dhënat dhe dokumentet;
4. KQZ duhet të prodhojë zarfe të veçantë të cilët duhet të përmbajnë elemente të sigurisë;
5. KQZ duhet të dërgojë pakot e votimit tek të gjithë votuesit e regjistruar jashtë vendit, duke përfshirë fletëvotimin zyrtar të vulosur;
6. Të gjitha fletëvotimet të cilat dërgohen përmes zarfeve zyrtare, shpenzimet e dërgimit duhet t’i marrë KQZ (freepost);
7. Dy dëshmitarë, që nuk janë anëtarë të familjes, që nuk janë nën 18 vjeç, që nuk janë kandidatë në zgjedhje, duhet të nënshkruajnë një deklaratë se është rrespektuar fshehetësia e votimit. Dëshmitarët mund të jenë edhe shtetas të huaj (praktikë e zbatuar në Finlandë);
8. Misionet diplomatike të Kosovës jashtë vendit mund të pranojnë zarfet dhe të dërgojnë ato në KQZ përmes çantave diplomatike (diplomatic bag);
9. Zarfet të cilat dërgohen drejtpërdrejt përmes postën në Kosovë, shpenzimet duhet t’i mbulojë KQZ (free post);
10. Zarfat nga Serbia duhet të dërgohen përmes postës në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.