Paralajmërohet nisja e hetimeve për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit

Aktuale

Paralajmërohet nisja e hetimeve për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 18:34
Ahmet Krasniqi

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) ka paralajmëruar se do të nisë hetimet për çështje që kanë tronditur shtetin shqiptar, përfshirë këtu edhe vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

Pak kohë më parë, kryeprokurorja në Shqipëri, Arta Marku ka firmosur një urdhër për të gjitha prokuroritë e vendit, ku kërkonte që të rihapeshin dosjet e vjetra të mbetur pa autorë, nisur nga provë, dëshmi, apo edhe dyshime të tjera.

Në zbatim të këtij urdhri, në Tiranë dhe Durrës u rihapën hetime për disa çështje, por ngritja e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë një tjetër hapësirë për zbardhjen e të vërtetave.

Në çështjet që do të jenë në 20 të parat që SPAK do të rihetojë është ajo e vrasjes së ish-ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Kolonel Ahmet Krasniqi u ekzekutua në Tiranë, në zonën e Laprakës në 21 shtatorit e vitit 1998, nga persona që ende sot e kësaj dite nuk dihen. Policia në atë kohë e lidhi krimin me zhvillimet në Kosovë dhe një aktivitet të bandave kriminale që vepronin në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Madje, pati edhe një pistë hetimi se autor i ekzekutimit të Krasniqit ishte Feriz Kërnaja, por që mbetën vetëm dyshime. Për motivin e vrasjes së ish-ministrit të Kosovës pati disa pista, një prej të cilave trafiku i armëve Shqipëri-Kosovë, por pa u gjetur asnjëherë provat e mjaftueshme.

Por, pavarësisht se kanë kaluar 21 vite që prej asaj nate të krimit të rëndë, dosja është ende në Prokurori dhe hetimet pritet të rihapen nga SPAK, strukturë nga e cila pritshmëritë janë të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat