Daçiqi thotë se Pacolli i është ankuar për “shkatërrim karriere”, MPJ-ja e Kosovës e quan atë “kloun” - Bota Sot
Daçiqi thotë se Pacolli i është ankuar për “shkatërrim karriere”, MPJ-ja e Kosovës e quan atë “kloun”

Aktuale

Daçiqi thotë se Pacolli i është ankuar për “shkatërrim karriere”, MPJ-ja e Kosovës e quan atë “kloun”

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 20:25
Daçiqi dhe Pacolli

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se në një moment, homologu i tij kosovar, Behgjet Pacolli, i është ankuar atij se ia ka shkatërruar karrierën, duke iu referuar politikës së tij për bindjen e shteteve që të tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Siç raporton mediumi serb “Vesti”, Daçiqi ka thënë se Serbia, me fushatën e saj për tërheqje të njohjeve të Kosovës, nuk po punon kundër Kosovës por po dëshiron ta detyrojë Kosovën që të vijë deri tek ndonjë kompromis.

“Ata s’duan kompromis, thonë – neve na kanë njohur 116 shtete. Te shohim tani se sa vende i kanë njohur? Behgjet Pacolli më është ankuar se ia kam shkatërruar karrierën dhe më ka pyetur se përse po i bëj të gjitha këto rreth njohjeve. Ne nuk punojmë kundër Kosovës, por për t’i detyruar që të arrijmë ndonjë kompromis”, tha Daçiqi.

Ndërkaq, media ka kontaktuar me MPJ-në e Kosovës në lidhje me këtë deklaratë të Daçiqit për Pacollin.

Jetlir Zyberaj, zëdhënës i MPJ-së, ka thënë se “askush s’e merr seriozisht Daçiqin nëpër forume të ndryshme”, dhe se të njëjtin, sipas tij, e konsiderojnë “kloun”.

“Daçiqi konsiderohet si kloun në mesin e ministrave të Jashtëm nëpër forumet e ndryshme dhe askush nuk e merr seriozisht atë”, ka deklaruar Zyberaj kur është pyetur se në çfarë rasti i është ankuar Pacolli Daçiqit.

Ministri i Jashtëm serb tutje ka thënë se së fundmi ka vizituar disa shtete të Paqësorit dhe me shumicën prej tyre Serbia s’ka pasur të vendosura marrëdhënie diplomatike. Ai thotë se me shtetin Nauru në shtator janë vendosur marrëdhëniet diplomatike, ndërsa me shtetet si Samoa dhe Vanautu ende s’ka ndodhur kjo gjë.

“S’bën të mos pyes se çfarë kanë bërë ata para nesh. Nëse nuk kemi marrëdhënie diplomatike, kjo do të thotë se s’kemi kurrfarë kontaktesh me atë vend, dhe se për atë vend ne nuk ekzistojmë. Ata e njohin Kosovën, e neve jo. Ne e kemi lejuar këtë. Dhe kjo gjendje nuk është vetëm në Paqësor”, shtoi më tej Daçiqi.

Ministri serb thotë se po punon edhe me vende anëtare të UNESCO-s dhe të Interpolit të cilat nuk janë shtete, por përfaqësojnë territore, e të cilat kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës në ato organizata, për t’i kthyer në “anën serbe”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat