Haxhiu: Emërimet në AKI i kontestojmë në Kushtetuese posa të konstituohet Kuvendi

Aktuale

Haxhiu: Emërimet në AKI i kontestojmë në Kushtetuese posa të konstituohet Kuvendi

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 23:49
Albulena Haxhiu

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të kontestojnë emërimet e sotme në krye të AKI-së, në momentin e parë që do të kenë mundësi ta bëjnë këtë, pasi që të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit.

Në Interaktiv, Haxhiu ka thënë se emërimet e sotme janë të paligjshme, joligjore e se janë bërë për ta penguar punën e Qeverisë së ardhshme.

“Prej 6 tetorit, e gjithë kjo periudhë është karakterizuar me vendime të tilla skandaloze. Prej rehatimit të militantëve në borde e institucione publike siç bënin deri tash por tash me intensitet më të lartë, deri te procesi i komprometuar i noterisë, e sot u njoftuam për ndarjen e këtyre dy pozicione si pazar i PAN-it të vjetër”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se AKI-ja është një institucion me shumë rëndësi dhe kjo mënyrë e emërimit të krerëve të saj është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, që ka dalë fituese dhe pret që të bëjë qeverinë e re.

“Nuk ka as ligjshmëri e as legjitimitet, dhe është shkelje e Kushtetutës. Megjithëse Ligji për AKI-në thotë se shefi i AKI-së zgjidhet 20 ditë pas dorëheqjes së shefit aktual, kjo parasheh kur kemi një kryeministër me kompetenca të plota. Kryeministri i dorëhequr nuk mund të marrë vendim për emërimin e shefit të AKI-së, dhe presidenti nuk mund të emërojë për shef të AKI-së një person të nominuar nga një ish-kryeministër”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se problemi tjetër është se të dy të emëruarit, edhe Kreshnik Gashi edhe Burim Ramadani janë persona politikë.

“I pari është person i afërt i Thaçit, derisa i dyti vetëm para pak kohësh vajtonte këtu për votat e AAK-së, e tash e kanë shpërblyer me postin e kryeshefit. Është e qartë që këta duan ta vështirësojnë punën e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Haxhiu.

“Sikur të ishte Kuvendi i konstituuar ne do ta kontestonim që sot këtë vendim, por në momentin që Kuvendi do të konstituohet ne do ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Haxhiu më tej.

Ajo ka thënë se nëse shikohet Ligji për AKI-në e njëjta procedurë vlen edhe për Ramadanin.

“Ky dekret do të dërgohet në Kushtetuese”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse Thaçi dhe Kurti mund ta kenë problem që të gjejnë kompromis për emrin e ri të shefit të AKI-së, Haxhiu ka thënë se as VV-ja e as Kurti me Thaçin nuk ka pasur asgjë personale.

“Për sa kohë kemi një legjislacion ne do ta respektojmë atë që është në fuqi. Në Ligjin për AKI-në thuhet se njerëzit duhet të jenë profesionalë, të duhur dhe jopartiakë. Fatmirësisht ka njerëz mjaftueshëm të aftë e patriotë për të marrë drejtimin e AKI-së”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se kur Vetëvendosje të vjen në Qeveri, çdo gjë do të vlerësohet se secila marrëveshje e dëmshme do të zhbëhet.

“Njerëz të vullnetit të mirë brenda institucioneve na kanë treguar për veprime të dëmshme në ministri të ndryshme. Paralelisht me punët e mira që do të bëjë qeveria Kurti, do të adresojë edhe kontratat e dëmshme përbrenda institucioneve. Po e përmendi Telekomin që ka qindra abuzime, e ngjashme do të ndodhë edhe në Ministri dhe institucione të tjera”, ka thënë Haxhiu, teksa ka shtuar se për këtë e kanë edhe miratimin e partnerit të mundshëm për qeverisje.

“Ndoshta ka qenë takimi i dytë kur kemi folur me LDK-në për këtë problem. Kur e kemi adresuar si shqetësim nuk ka pasur ndonjë kundërshtim nga LDK-ja përveçse miratim”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat