Prokuroria: Kemi dëshmitar që është i sigurt se në oborrin e UP-së ka varreza

Aktuale

Prokuroria: Kemi dëshmitar që është i sigurt se në oborrin e UP-së ka varreza

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 11:35
Foto ilustrim

Kanë nisur gërmimet në kampusin e UP-së, saktësisht tek parkingu i Fakultetit të Arteve me dyshimin se mund të ketë varreza masive.

Gërmimet në këtë pjesë të kampusit të UP po bëhen pasi që një dëshmitar në Prokurori ka treguar se në kohën e luftës ka parë duke u varrosur trupa të njerëzve.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari, ka thënë se këto gërmime po bëhen pasi kanë marrë një informacion nga një qytetarë se gjatë kohës së luftës ka parë duke varrosur trupa.

 Hajdari: Kemi një dëshmitar që ka thënë se këtu gjatë luftës ka pasur të varrosur

"Ky vend ka pasur punime, gërmime edhe më herët gjithmonë në bazë të informacioneve të dëshmitarëve të ndryshëm për ekzistimin e mbetjeve mortore. Duke vepruar sipas informatave të tilla detyra e prokurorisë është me i verifikua, sepse ne gjithmonë kemi parasysh që shumë familjarë në Kosovë janë duke pritur ndonjë lajm, ndonjë zbulim për të pagjeturit, andaj ne si prokurori kemi për obligim me i verifikua këto informacione dhe gjithmonë veprojmë në atë mënyrë që urdhërojmë gërmime. Njëjtë kemi vepruar edhe në rastin konkret, përkundër faktit që ky lokacion është gërmuar disa herë, ne kemi pranuar një informacion të ri nga një dëshmitarë tjetër, i cili pohon në mënyrë të sigurtë se ka parë gjatë luftës që në këtë vend janë varrosur trupat. Andaj, sot kemi dal që të kryejmë gërmime dhe të verifikojmë nëse ka mbetje mortore apo jo", tha ajo.

Hajdari tha se nuk munden t'i neglizhojnë informacionet të tilla dhe se detyrë e tyre është që t'i verifikojnë.

Ndërkaq mbajtësi i dosjes së personave të pagjetur në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës Jahja Lluka, ka treguar se gërmime do të bëhen në dy lokacione tek parkingu i fakultetit të Arteve.

Lluka: Do të gërmojmë në dy lokacione

 "Meqë më herët është gërmuar në nje lokacion tjetër dhe nuk ka pasur gjetje, mirëpo dëshmitarët kanë insistuar se këtu ka pasur lëvizje gjatë luftës dhe ne jemi të obliguar që çdo dyshim eventual dhe kërkesë e prokurorit të zbatohet. Këtu do t'i kemi dy lokacione, njërin veç kemi filluar siç po e shihni, diçka ka ndodhur mirëpo ne nuk mundemi saktë me e ditë...shpresojmë se sot do të gjejmë, është e mirë edhe për familjarët se shumica e familjarëve të cilët po presin po jetojnë në ankth dhe çdo gjetje është lehtësim, meqë shumica e familjarëve vec janë pajtuar me fatin që ta gjejnë një mbetje mortore, së paku ta kenë një varr dinjitoz", tha ai.

Lluka tha se nuk mund të flasë me siguri se sa do të zgjasin gërmimet, por  shpreson që të ketë rezultate pozitive.

Lluka tha se janë duke punuar vazhdimisht, ku tha se kanë gërmuar në Mitrovicë të Veriut në varrezat myslimane ku tha se aty i kanë edhe dy lokacione pa përfunduar për këtë vit. Po ashtu, ai tha se janë edhe dy lokacione në Serbi, por që tha se atje është ndërprerë puna pasi sipas tij Serbia lokacionet që i ka dhënë është e pamundur të gërmohet.

Lluka: Ka edhe varreza në Serbi por që nuk po na ndihmon ajo

 "Lokacionet për të cilat Serbia pranon janë lokacione të cilat duhet me punua me vite dhe ku mundësia për të gjetur diçka është gati me thënë e pamundur. Meqë aty janë do mbetje inerte prej disa minierave të cilat janë me miliona dhe jep koordinatat gërmo këtu. Por, Serbia për të mos thënë nuk po bashkëpunon dërgon asi lokacione ku mundësia për të gjetur, meqenëse ka dyshime, ka dëshmitarë, ne në një rast kemi pasur një dëshmitarë anonim ku kemi kërkuar të gërmohet në ato koordinata ata nuk na kanë lejuar....ajo është një praktikë që Serbia e ka përdorur që shumicën e njerëzve të vrarë, të masakruar i kanë varrosur ka dy tri herë për t'i humbur gjurmët e krimit. Mirëpo krimi nuk plaket dhe pa marrë parasysh që Serbia edhe sot nuk donë me e pranua edhe sot ka sigurt mbetje mortore në Beograd, mirëpo duhet me thënë edhe një gjë ka filluar të zgjohen disa njerëz në Serbi dhe ta pranojnë", tha ai.

 Lluka tha se Beogradi i ka informatat për të gjithë personat e zhdukur të Kosovës, por që tha se informacionet nuk i jep sepse me pranimin e saj duhet ta pranojë edhe gjenocidin që e ka bërë në Kosovë. Kujtojmë se janë në Kosovë janë më shumë se 1 mijë e 600 persona të zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat