Emërimet në AKI, Haradinaj thotë se do t’i qëndrojë prapa vendimit

Aktuale

Emërimet në AKI, Haradinaj thotë se do t’i qëndrojë prapa vendimit

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Ani pse është kryeministër në detyrë, Ramush Haradinaj emëroi dje Kreshnik Gashin shef të Agjencisë së Kosovës për Inteligjence, ndërsa Burim Ramadanin kryeinspektor të këtij institucioni.

Për këto emërime, që tha se i ka bërë në bashkërendim me presidentin e vendit, Haradinaj është përgjigjur sot pas mbledhjes së qeverisë duke deklaruar se këtë vendim e ka marrë me vetëdije të plotë dhe duke ushtruar funksionet e tij në bazë të kompetencave që ka.

Për Burim Ramadanin, që është pjesë e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se e ka emëruar për shkak të aftësive profesionale dhe se nuk ka më të mirë se Ramadani për këtë post.

Haradinaj: Burim Ramadani është më i miri që e ka Kosova për kryeinspektor të AKI-së

“Jam shumë i gëzuar që është Burimi për shkak të aftësive tij profesionale, mendoj që është kuadri më i mirë që kam mundur të gjej në Kosovë... Është më i miri që e ka Kosova për atë punë, ju siguroj. Gjejeni një më të mirë se Burimi në njohje profesionale, në tema e në angazhim, tema të sigurisë, nuk shërben si partiak, shërben si profesionist. Nuk kam shumë komente për kritikat e plota që i japin, një pjesë e njerëzve të Kosovës janë mësuar të jetojnë prej kritikës dhe të jetojnë me kritikën, është drejtë e tyre, por disa të tjerë duhet të punojnë. Kjo është përgjigja ime për të gjithë”, tha ai.

Haradinaj tha se me emërimin e drejtorit të AKI-së dhe kryeinspektorit, ka ushtruar funksionet e tij në bazë të kompetencave që ka dhe do t’i qëndrojë prapa.

Këto emërime u kundërshtuan dje nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila e quajti këtë vendim antikushtetues dhe politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat