Bislim Zyrapi: Hashim Thaçi nuk e ka shkruar komunikatën numër 59, ja kush duhet të pyetet për të

Aktuale

Bislim Zyrapi: Hashim Thaçi nuk e ka shkruar komunikatën numër 59, ja kush duhet të pyetet për të

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 18:12
Bislim Zyrapi dhe Hashim Thaçi

Rexhep Selimi, deputet i zgjedhur në mandatin e katërt nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar dje se komunikatat e UÇK-së përfshirë edhe komunikatën e famshme me numër 59 i ka shkruar Hashim Thaçi. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe këshilltari i Presidentit Thaçi, Bislim Zyrapi në një prononcim ka reaguar ndaj Selimit duke thënë se kur është shkruar komunikata numër 59, Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë.

Në komunikatën me numër 59 e lëshuar në kohën e luftës, ndër të tjera  thuhej: “Abedin Rexha u vra nga kolaboracionisti me damkë Gani Geci, i lindur në Llaushë, i cili edhe më herët e edhe gjatë ofensivës së fundit serbe, është parë i maskuar duke i prirë policisë serbe në masakrat që u kryen mbi popullin civil të Drenicës”.

Gani Geci për komunikatën numër 59 të lëshuar ndaj tij, kishte akuzuar ish-eprorët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si autorë të saj.

Ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi i cili ka shërbyer si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së është deklaruar lidhur me komunikatën numër 59 të lëshuar gjatë kohës së luftës.

Selimi dje u shpreh se komunikata numër 59 e cila ishte lëshuar gjatë vitit 1998 kundër Gani Gecit është hartuar dhe lëshuar nga Hashim Thaçi.

“Komunikatën numër 59 e ka shkruar Hashim Thaçi, ai është hartues dhe lëshues i asaj komunikate”, ka thënë Selimi.

E ndaj kësaj deklarate të Rexhep Selimit ka reaguar këshilltari i Presidentit Thaçi, Bislim Zyrapi.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së tha se ajo çfarë ka deklaruar Selimi nuk është e vërtetë, pasi Hashim Thaçi nuk ka qenë fare në Kosovë kur është shkruar ajo komunikatë.

“Unë e përgënjeshtroj plotësisht këtë deklaratë të Rexhep Selimit pasi që në atë periudhë Hashim Thaçi nuk ka qenë fare në Kosovë. Komunikata numër 59 është shkruar diku në tetor ose nëntor 1998 e cila as nuk ka qenë e nënshkruar dhe nuk mundet të jetë e shkruar nga drejtori i drejtorisë politike”, tha Zyrapi.

Këshilltari i Presidentit tha se komunikatat e lëshuara nga shtabi i UÇK-së kanë qenë me nënshkrim dhe vulë kurse komunikata numër 59 nuk ka pasur nënshkrim dhe vulë të Shtabit të UÇK-së.

Ai tha tutje se për lëshimin e komunikatave duhet të pyetet Jakup Krasniqi.

“Për vërtetësinë dhe plasimin e komunikatave në publik duhet të pyetet Jakup Krasniqi sepse ai ka qenë përgjegjës për lëshimin e tyre si zëdhënës i UÇK-së”, tha Zyrapi.

Gazeta ka provuar të kontaktoj sot me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi lidhur me këtë çështje por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat