Haradinaj: Nuk ka kush që na ndanë, do të jemi bashkë si shqiptarë

Aktuale

Haradinaj: Nuk ka kush që na ndanë, do të jemi bashkë si shqiptarë

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 18:21
Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij me Kosovën nuk kanë udhëhequr ambasadat, por ka udhëhequr Kosova vetë.

Ai tha se gjatë qeverisjes së tij Kosovës i ka ardhur era Kosovë dhe se kurrë më Kosovë nuk ka qenë.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë pritjes që ka organizuar për nder të 28 Nëntorit për veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë.

Haradinaj: Dy vite me Kosovën nuk kanë qeverisur ambasadat

“Dy vite me Kosovën nuk kanë qeverisur ambasadat, mos e harroni çka po iu them, kam punuar ngushtë me aleatët tanë, me të gjithë, por me Kosovën nuk kanë qeverisur ambasadat, ka qeverisur Kosova vet, mirë e keq qysh ka ditur. Por, Kosovës i ka ardhur era Kosovë dhe kurrë më Kosovë nuk ka qenë, si në jug, si në veri e si në perëndim fal bijve e bijave tona, pra e atyre që kanë kryer punë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se është bërë traditë që në një ditë të tillë të ftohen të gjitha kategoritë e lirisë dhe se këtë vit edhe pse në rrethana specifike, për shkak të tërmetit në Shqipëri, e kanë ruajtur traditën.

Ai tha se UÇK është më meritorja për Kosovën e pavarur dhe janë të gjithë bijtë e bijat e kombin me luftën e tyre për liri. Njëkohësisht ai tha se janë edhe aleatët e Kosovës, siç është NATO e prirë nga SHBA-të

Haradinaj: UÇK është më meritore për Kosovën sot të pavarur

“UÇK është më meritore për Kosovën sot të pavarur, janë bijtë e bijat e gjithë kombit dhe vërtetë krenohemi me sakrificën e të gjithëve, për luftën e të gjithëve për liri. Njëkohësisht aleatëve tanë që na kanë ndihmuar ju themi faleminderit, me këtë rast NATO-së të prirë prej Amerikës dhe me të drejtë rreshtohemi në botën e lirë që i prin Amerika, në botën e NATO-së, aty ku kërkojmë që të rreshtohemi me ushtrinë tonë më të re dhe aty ku presim që fjala jonë, zëri ynë të dëgjohet. Dy vjet qeverisje i kemi pasur sfida shumë, nuk them se i kemi dalë borxhe kategorive të lirisë, kurrë nuk i dalim borxhit tamam, por jemi munduar me e respektua obligimin shtetëror ndaj kategorive të lirisë. Por, nuk do të ndalemi në vazhdimësi, do të punojmë që kategoritë e lirisë me u krenua për krejt sakrificat që kanë bërë dhe çdo kush të merr mësim se si shqiptari respekton ushtarin”, tha ai.

Haradinaj ka folur për tri tema që është marrë gjatë qeverisjes së tij, ku të parën përmendi pavarësinë energjetike, ku tha se tashmë Kosova është pronare e krejt asaj çka është energji në vend. Çdo e drejtë në energji në territor të Kosovës sipas tij është pronë e Kosovës.

Së dyti, ka përmendur Trepçën, ku tha se Trepça është krejtësisht e Kosovës dhe se përfundimisht Kosova ka pavarësi të resurseve të veta. Haradinaj, si temë të tretë ka përmendur Ushtrinë e Kosovës, ku tha se tashmë diskutohet vetëm se sa e fuqishme do të jetë ajo.

Haradinaj: Ata që po dëshirojnë të na dobësojnë kanë me dështua

“Kisha fol edhe për taksën po ju kam lodh. Pse po kthehem te dita e sotme, unë jam i sigurt që ata që provojnë me na gjunjëzua, me na përça, me na dobësua kanë me dështua. Na kemi ditur shumë më pak ‘91, ‘92, ‘93, ‘94, ‘95, ‘96, ‘97, shumë më pak informata kemi pasur, shumë më pak jemi njohur, shumë më pak e kemi njohur botën. Por kush na ka ndihmuar, na ka ndihmuar e drejta jonë, kemi besuar në lirinë tonë, në popullin tonë dhe kemi ec përpara drejtë lirisë. S’do të mund askush të na përçajë për të na dobësuar. Mos harroni punohet intensivisht për të na përçarë dhe të na dobësojë. Punohet intensivisht për të na komprometuar, mos të mbetet kush i UÇK-së me kokë lartë, e mos me mbet kush në këmbë. E ka provuar Milloshi dhe e dini që qindra mijëra shqiptarë i ka quar burgjeve, kanë provuar në të gjitha mënyrat e mundshme me na thye, me na rrënuar, por gjithë kombi ka pasur djem, ka pas familje që e kanë mbajtur gjallë lëvizjen për liri. Unë iu siguroj se veç i madhi Zot, se për   këta që janë në tokë nuk kanë me mund me më thye, kushdo qoftë, ndërsa iu siguroj se nuk kam me i qitë barrë kurrë bashkëluftëtarëve të mi, por sa të mundem me qu kam me bajt vetë”, tha Haradinaj.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, i cili tha se lavdia duhet të jetë me të gjithë ata që dhanë gjakun e tyre për lirinë që populli e gëzon sot.

Jashari: Në këtë 28 nëntor lidhen shumë ngjarje historike të kombit tonë shqiptar

“Në këtë 28 nëntor lidhen shumë ngjarje historike të kombit tonë shqiptar, nuk po i ceki të gjitha se i ceku edhe kryeministri, mua më mbetet vetëm për t’iu uruar dhe ju dëshiroj shëndet dhe të gjitha të mirat. Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe e dhanë gjakun e tyre të njom për këtë liri që po e gëzojmë ne sot dhe ishalla kurrë për jetë më popullit tonë kësi gjërash të rënda nuk i ndodhin. Patëm edhe rastin po ajo është proces natyror, u shprehi ngushëllime edhe atyre edhe juve këtu se janë vëllezër dhe motra tonat”, tha ai.     

Nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se në nëntor janë shumë festa që i bashkojnë të gjithë shqiptarët.

Jashari: Kjo festë të na shërbejë që të jemi unik në interesin e përgjithshëm

“Sot nuk është lehtë me fol se ndjenjat i kemi të përziera me rastin që ndodhi tek vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri, por edhe kjo ngjarje e dhimbshme dhe gjithë ngjarjet që po tregohet një solidaritet shumë i madh nga të gjithë shqiptarët, po edhe nga popujt e tjerë le të na shërbejë dhe të na thërrasë vëmendjes tonë që të jemi unik në interesin e përgjithshëm. Dihet që kjo qeveri ka marrë vendime dhe qëndrime të rëndësishme për vendin duke çmuar, duke respektuar, vlerat, duke dëshmuar dhe duke respektuar luftën e shenjtë të UÇK-së. Ne do të jemi krahë gjithherë vendimeve të tilla dhe dashtë Zoti që një ditë të jemi unik si popull, si komb dhe t’i jetësojmë të drejtat tonë elementare, pra edhe ne të jemi të bashkuar në një shtet dhe në një komb si gjithë shtetet tjera”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat