Profesori universitar: Koalicionin LDK-VV ta mirëmbajnë koncesionet politike - Bota Sot
Profesori universitar: Koalicionin LDK-VV ta mirëmbajnë koncesionet politike

Aktuale

Profesori universitar: Koalicionin LDK-VV ta mirëmbajnë koncesionet politike

Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 21:29
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Për sociologun Fadil Maloku, Albin Kurti e Isa Mustafa, koalicionin LDK -VV e (mirë)mbajnë veç përmes koncesioneve. Sipas tij, ky koalicion, më primare duhet ta ketë koncesionin në politikat sociale, se sa “llukun ideologjik” në politikën aktuale.

“Ata që dyshojnë në koalicionin ideologjik antipod, apo ndryshe të shquar edhe si të panatyrshëm dhe si koalicion ‘centaur’ midis LDK-së dhe VV-së, duhet thënë se kriteri i vullnetit të mirë, e sidomos ai i nevojës së specifikimit të procesit të shtetndërtimit, është shumë më i fuqishëm se sa ai i ideologjisë dhe ndasisë”, ka thënë Maloku. “Tekefundit, përvoja postmoderne njeh shumë raste të koalicioneve, me këso pretendimesh. Shembulli gjerman, na dëshmon se si CDY/CSU arritën të qeverisin pa pengesa serioze, me Gjermaninë që nga viti 2013 e këndej. Në këtë megaloshtet, ideologjitë (liberale, konservatore e socialdemokrate) nuk ishin pothuajse fare pengesa serioze në qeverisjen e vendit dhe në qeverisjen kontinentit!”, ka shtuar më tej ai.

Sipas tij, madje ky koalicion “joparimor”, në krye me kancelaren A. Merkel përveç ndryshimeve dhe suksesit në qeverisjen shtetërore gjermane, solli edhe ndryshime në nivelin kontinental.

“Pra, në BE, aty ku asnjë vendim krucial për të ardhmen e projektit dhe arkitekturës evropiane, as që mund të imagjinohet më pa ‘fjalën’ e gjermanëve, përkatësisht zonjës në fjalë. Elementi fondamental, apo ai ‘terreni kryesor’ që do e kultivojë si neutralitetin ashtu edhe respektin midis LDK-së dhe VV-së në mandatin që po e presin të gjithë, padyshim që duhet kërkuar ekskluzivisht tek politikat sociale. Sepse, ideologjikisht si LDK-ja a ashtu edhe VV-ja janë ende të pakornizuara dhe të padefinuara sa duhet si me koherencën e zhvillimeve globale, ashtu edhe procesin e tranzicionit, që është ende prezent në Kosovë”, ka thënë Maloku.

Prandaj, sipas Malokut, që të dyja me “kompromiset” e duhura dhe të arsyeshme (sikurse CDU/CSU), të spostohen (faktikisht; të lëvizin kah qendra) gradulisht kah ai “mesi i artë aristotelian”, në mënyrë që të kenë mundësi ta ushtrojnë “ndryshimin” e pritur elektoral.

Tekefundit, thotë Maloku, pothuajse gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë ishin me programe e ideologji të deklaruara si “të panatyrshme”.

“Dallimi i vetëm, tani qëndron që këto dy subjekte si LDK-ja e VV-ja, po na thonë që janë më të profilizuara. Nëse është ashtu, keni pra mandatin e sovranit, urdhëroni e ushtrojeni në pragmatizëm këtë jodetyrim, socio-politik”, ka thënë Maloku. “Albin Kurtin, si kryeministër në ardhje s’do duhej fare ta shqetësonte ky ‘fakt’ formalisht i pa takt, edhe për një arsye të thjeshtë; se më të rëndësishme në perspektivën që po hymë janë proceset shtet-ndërtuese, se sa ‘lluku’ ideologjik! I cili në rastin e Kosovës duhet të pret të profilizohet tek në dekadën e radhës”, ka përfunduar Maloku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat