Haxhiu i reagon Prokurorisë Speciale, ia shpjegon ligjin

Aktuale

Haxhiu i reagon Prokurorisë Speciale, ia shpjegon ligjin

Nga: A.M. Më: 1 dhjetor 2019 Në ora: 15:28
Albulena Haxhiu

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kishte kërkuar që të gjykohen “masakruesit e popullit”.

Si duket me reagimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nuk janë të kënaqur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga VV-ja kësaj radhe ka reaguar kandidatja për deputete e kësaj partie, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky reagim i Prokurorisë Speciale është tendencë për të hequr përgjegjësitë nga vetja dhe për të arsyetuar mosveprimin.

Gjithashtu, përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se “Neni për gjykimin në mungesë ka qenë ndër ndryshimet më të mira që ka bërë Kuvendi i Kosovës”.

Postimi i plotë:

Neni për gjykimin në mungesë ka qenë ndër ndryshimet më të mira që ka bërë Kuvendi i Kosovës.

Deklarata e Prokurorisë Speciale lidhur me këtë është tendencë për të hequr përgjegjësitë nga vetja dhe për të arsyetuar mosveprimin.

Kur neni përkatës thotë që personi nën hetim të jetë kërkuar në shtetin/shtetet ku supozohet të jetë sipas parimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar së paku pesë (5) herë, dhe vetëm pasi që një kërkesë e tillë të jetë refuzuar apo neglizhuar tërësisht nga organet e shtetit pranues’ - kjo i referohet situatës ku personi supozohet të jetë. Pra ai/ajo supozohet të jetë aty ku e ka shtetësinë, pra në Serbi.

Pretendimi i prokurorisë se ‘duhet adresa’ është tërësisht i paqëndrueshëm, sepse NUK ka nevojë për asnjë adresë të askujt.

Madje ndryshimi në fjalë i referohet edhe situatës së neglizhimit, në këtë rast nga Serbia. Dhe në një skenar të tillë, me automatizëm përmbushet kërkesa e ligjit për lejimin e hetimit, akuzimit dhe gjykimit në mungesë.

Më tutje, kur thuhet "bashkëpunim juridik ndërkombëtar" kjo NUK nënkupton që duhet të kemi marrëveshje ndërshtetërore. Kemi raste të ekstradimit me shtete që nuk na kanë njohur e që nuk kemi marrëveshje e bashkëpunim juridik.

Nëse dikush pret që zbatimi i këtij Neni të bëhet kur të na njeh Serbia, e ka shumë gabim madje është moskryerje e kompetencave dhe përgjegjësive.

Qeveria Kurti, do të ketë qasje serioze dhe krejtësisht ndryshe me krimet e luftës.

Nuk do të ketë amnisti për kriminelët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat