Ish deputeti i LDK-së kujton Presidentin Rugova: Do të mbetet i paarritshëm dhe i papërsëritshëm

Aktuale

Ish deputeti i LDK-së kujton Presidentin Rugova: Do të mbetet i paarritshëm dhe i papërsëritshëm

Nga: G.B Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 15:19
Ibrahim Rugova dhe Adem Salihaj

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka përkujtuar presidentin historik Ibrahim Rugova, në 75 vjetorin e lindjes së tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se po të ishte Rugova gjallë, shumë procese do të ishin kryer dhe sot Kosova do të ishte shtet stabil dhe i integruar në BE dhe NATO, përcjell Bota sot.

Salihaj thotë se ndihej i lumtur që ka punuar bashkë me Presidentin Rugova dhe që ai do të mbetet i paarritshëm dhe i papërsëritshëm, krijuesi i pakontestueshëm i shtetit të Kosovës.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

NË DITËN E LINDJES SË PRESIDENTIT RUGOVA

Në diten e sotme, më 2 dhjetor 1944, lindi Presidenti Ibrahim Rugova, njeriu që krijoi vizionin e Republikës së Kosovës dhe e realizoi atë me sukses të plotë.
Janë të rralla ato personalitete botërore si Presidenti Rugova, që, për një kohë aq të shkurtër, arriti të bëhej aq i njohur dhe aq shpejt të hapte dyert e kancelarive të shteteve më të fuqishme të botës, SHBA-ve, Gjermanisë, Anglisë, Francës e shumë shteteve të tjera. Janë të rralla ato personalitete, që, sikur Presidenti Rugova, aq shpejt arriti ta bënte të njohur problemin e Kosovës dhe ta kthente opinionin ndërkombëtar në favor tonin.
Po të ishte gjallë Presidenti Rugova, shumë procese do te kryheshin moti dhe sot Kosova do te ishte nje shtet stabil dhe i integruar në BE dhe në NATO.
Sigurisht që të gjithë e mbajnë mend se si i gjithë Parlamenti europian u ngrit në këmbë në shenjë respekti për personalitetin e tij dhe për vetë Kosovën.
Personalitetet më të njohura botërore të kohës u shprehën në superlativ për personalitetin e Presidentit Rugova, duke pohuar se Republika e Kosovës as që mund te imagjinohej pa Presidentin Rugova.
Unë jam i lumtur që punova bashkë me Presidentin Rugova si bashkëpunëtor i ngushtë i tij, në realizimin e çështjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe ne krijimin dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore të saj.
Presidenti Rugova do të mbetet i paarritshëm dhe i papërsëritshëm, krijuesi i pakontestueshëm i shtetit të Kosovës.
Me këtë rast po e ripostoj këtë shkrim për ditëlindjen e Presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat