Bytyqi pranon dështimin në PISA 2018

Aktuale

Bytyqi pranon dështimin në PISA 2018

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 13:19
Shyqiri Bytyqi

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se ka pritur rezultate më të mira nga testimi ndërkombëtar PISA, por që sipas tij rezultatet nuk janë të mira dhe për të kuptuar arsyet e këtyre rezultateve ai tha se duhet kohë për t’i analizuar të gjitha raportet e shkollave dhe të nxënësve.

Kosova është renditur në vendin e tretë nga fundi në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2018. Në këtë testim ku kanë marrë pjesë 79 shtete, Kosova ka lënë mbrapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Përkundër rezultatit të dobët në renditje, ministri Bytyqi tha se ka lëvizje pozitive në lexim dhe në matematikë, ndërsa ka rënie në shkencë.

Bytyqi: Nuk kemi rezultat më të mirë

“Ajo çka ne kemi pritur që të kemi një rezultat më të mirë, nuk kemi rezultat më të mirë, jemi më pak ndryshime, po jo atë që e kemi pritur. Ne si Ministri kur e kemi marrë mandatin kemi bërë një përpjekje të madhe që të bëjmë organizimin e mirë të testit PISA, pasi që ne ishim vonë gjithçka, vetëm tre muaj në dispozicion dhe i tërë orientimi ynë ishte që të bëjmë një organizim sa më të mirë në mënyrë që ta shtojmë rëndësinë e pjesëmarrjes së nxënësve në testin PISA dhe të themi që me atë angazhim të përgjithshëm që ka qenë nga niveli i ministrisë deri në nivelin e mësimdhënësve, të prindërve ia kemi dal. Por, nuk janë ato rezultate të cilat ne kishim dashur me i pas sot. Ajo çka vërehet një gjë pozitive kemi në dy pjesë, pra pjesën e matematikës kemi lëvizje pozitive disa arritje më të mira se që kemi pasur në vitin 2015, po ashtu edhe në pjesën e leximit kemi po ashtu rritje, është rritje pozitive në krahasim me vitin 2015, ajo çka është vërejtur kemi rënie në shkencë”, tha ai.

Kreu i Arsimit tha se duhet kohë për të analizuar të gjitha rezultatet e shkollave dhe secilit nxënës, ndërsa përmendi se në rezultatin e shkencës mund të ketë ndikuar mbajtja e testit në mënyrë digjitale.

Bytyqi: Duhet kohë për të analizuar raportet e shkollave dhe nxënësve

“Cilat janë arsyet e këtyre rezultateve dhe cilat janë arsyet të themi rritjen e këtyre dy nivelet, matematikë dhe lexim dhe rënie në shkencë, unë konsideroj që na duhet kohë, u duhet profesionistëve kohë t’i analizojnë raportet të secilës shkollë pjesëmarrëse, secilit nxënës pjesëmarrës dhe pastaj të dalim me rezultate më konkrete...Ndoshta në rezultatin e shkencës ky është shikimi i parë gjeneral, ka ndikuar edhe pjesëmarrja për herë të parë në formën digjitale të testit. Pra, Kosova është futur në testin PISA në formë digjitale dhe siç duket në shkencë kjo ka ndikuar”, tha ai.

I pyetur se kush duhet të marrë përgjegjësi për dështimin e sërishëm të Kosovës në testin PISA, Bytyqi tha se në kohën kur e ka marrë detyrën i ka pasur vetëm tre muaj kohë para mbajtjes së testit. Ai tha se duhet të shikohet sistemi arsimor dhe të shihet se çka duhet të përmirësohet.

Bytyqi: Kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi

“Tani se kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi, nuk mundet t’i drejtohet një personi, se më së paku mund të jemi ne, sepse ne po flasim për tre muaj. Ju e dini besoj që në takimin kur e kemi bërë shkëmbimin e marrjes së detyrës, ministri Bajrami deklaron se çfarëdo rezultati pozitiv, qoftë negativ do t’i kemi përsipër ne, kështu e thotë ministri Bajrami, por nuk është më rëndësi që t’i drejtohemi një individi. Pra, ne duhet ta shikojmë sistemin arsimor, cilat duhet të përmirësohen, çfarë përmirësimi duhet të bëhet...Nuk mund të bëhen për tre muaj përgatitje për të përmirësuar shkathtësitë e nxënësve, jo tre muaj, as tri vjet dhe as dy vite. Pra, duhet vite të tëra që të përgatitemi për shkathtësitë e nxënësve, për zbatueshmërinë e mirëfilltë të kurrikulës”, tha ai.

I pari i arsimit tha se për të dal më mirë në testin PISA 2021 duhet një angazhim i përgjithshëm shoqëror.

Ndërkaq, Fatmir Elezi nga divizioni për vlerësim, standarde dhe monitorim në MASHT ka prezantuar rezultatet e PISA-s.

Elezi: Në PISA 2018 në lexim jemi të katërt nga fundi

“Kjo është radhitja në bazë të shteteve në lexim, do të thotë në PISA 2018 në lexim jemi të katërt nga fundi, për dallim në vitin 2015 kemi qenë të fundit. Në matematikë jemi të pestit nga fundi me një dallim jo signifikant me Marokun, do të thotë rezultatet me Marokun i kemi përafërsisht të njëjta. Në shkencë jemi të katërt nga fundi”, tha ai.

Ai tha se vërehet se gjimnazet kanë performuar më mirë sesa shkollat teknike, ndërsa ka treguar rezultatet edhe sa i përket gjinisë së nxënësve.

Elezi: Vërejmë se në gjuhë kemi një dallim bukur të madh mes vajzave dhe djemve

“Vërejmë se në gjuhë kemi një dallim bukur të madh mes vajzave dhe djemve, në fakt vajzat kanë performuar shumë më mirë sesa djemtë në gjuhë. Në matematikë është e kundërta, mirëpo me një dallim më të vogël, pra dallimi në matematikë është më i vogël dhe në shkencë vajzat kanë performuar më mirë, por prapë me një dallim më të vogël. Tek shkenca është interesante se në spektrin e nivelit të lartë djemtë kanë performuar më mirë, në tre nivelet e para kanë performuar më mirë vajzat, ndërsa në nivelet më të larta djemtë”, tha ai.

Në testin PISA kanë marrë pjesë 5058 nxënës nga 211 shkolla.

Vendi ynë është renditur i treti nga fundi në garën ku morën pjesë 79 shtete duke lënë mbrapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. Sipas rezultateve që maten me indeksin e mesatares së OECD, nxënësit kosovarë kanë arritur 353 pikë në lexim, 366 në matematikë dhe 365 në shkencë.

Kujtojmë se edhe në vitin 2015 vendi kishte shënuar rezultate të dobëta në testin PISA 2015.

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat