Rezultatet e PISA 2018 të pritshme, MASHT fajtor për dështim

Aktuale

Rezultatet e PISA 2018 të pritshme, MASHT fajtor për dështim

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 17:23
Ilustrim

Dështim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po shihet rezultati i Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA 2018. Në këtë testim kanë marrë pjesë 79 vende, ku Kosova është renditur e treta nga fundi, duke lënë pas vetës vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Studimi ndërkombëtar i arsimit vlerëson kompetencat e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë, ku Kosova në fushën e leximit është renditur e katërta nga fundi, në matematikë e pesta nga fundi dhe në shkencë nga fundi.

Sipas rezultateve që maten me indeksin e mesatares së OECD, nxënësit kosovarë kanë arritur 353 pikë në lexim, 366 në matematikë dhe 365 në shkencë. Krahasuar me rezultatet e vitit 2015 vërehet një rritje në lexim dhe matematikë, ndërsa ka rënie në shkencë. Në testin PISA 2015, nxënësit kishin marrë 347 pikë në lexim, 362 në matematikë dhe 378 në shkencë.

Njohës të fushës së arsimit thonë se rezultatet e tilla kanë qenë të pritshme duke u bazuar në gjendjen në të cilën ndodhet arsimi në vendin tonë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, thotë se rezultatet kanë qenë të pritshme, pasi sipas tij nuk ka pasur përpjekje cilësore për përmirësim.

Pupovci: Rezultatet kanë qenë krejtësisht të pritshme

“Rezultatet kanë qenë krejtësisht të pritshme, por kanë qenë edhe zhgënjyese për faktin se kjo gjendje në arsim po vazhdon për një periudhë mjaftë të gjatë. Përkundër faktit se njerëzit janë të vetëdijshëm se cila është gjendja megjithatë ka ekzistuar ose ende ekziston tek njerëzit një fije shprese se diçka mund të përmirësohet. Nuk ka pasur përmirësim dhe kjo nuk është e papritur pasi që nuk janë bërë edhe përpjekjet cilësore për përmirësim, sidomos prej vitit 2015 kur ka qenë testi paraprak i PISA deri në vitin 2018 kur këta fëmijë i janë shtruar testit dhe mendoj që me këtë ritëm edhe në vitin 2021 nuk do të jetë ndonjë përmirësim i dukshëm”, thotë ai.

Dështimi i Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA, Pupovci thotë se mund të quhet dështim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Pupovci: Absolutisht kjo mund të quhet dështim i Ministrisë së Arsimit

“Absolutisht kjo mund të quhet dështim i Ministrisë së Arsimit, po jo i këtij ministri, sepse ky vërtet ka pasur një periudhë të shkurtër. Mirëpo, duke marrë parasysh këto veprime që janë bërë këto dy vitet e fundit prej kur e kemi këtë qeveri që është në largim tani, besoj që dështimi i tyre do të jetë PISA 2021, sepse thjesht nuk janë bërë kurrfarë përpjekje për përmirësimin e gjendjes në arsim. Për testin PISA fëmijët nuk kanë nevojë të përgatiten, por kanë nevojë që të kenë një shkollim cilësor gjatë gjithë kohës dhe kur vjen testi vetëm e tregojnë faktikisht sa janë në gjendje njohuritë e veta t’i zbatojnë në jetën e përditshme”, tha Pupovci.

Edhe Rinor Qehaja nga instituti EdGuard thotë se rezultatet nuk janë befasuese, por sipas tij befasuese është mos reagimi nga akterët kryesorë të politikës. 

Qehaja: Rezultatet si të tilla nuk kanë qenë befasuese kur dihet gjendja në arsim

“Rezultatet si të tilla nuk kanë qenë befasuese në veçanti kur dihet gjendja dhe arsimi në vendin tonë. Befasues është mos reagimi i ministrisë, hisedarëve dhe politikë-bërësve karshi problemit të mungesës së cilësisë në arsim. Është për keqardhje që neve ende kemi një kurrikulë, e cila është në improvizim në zbatim, kemi tekste shkollore që mungon shumë në cilësi, kemi mungesë të infrastrukturës e kështu me radhë. Të gjithë këta janë komponentë që e përbëjnë një cilësi më të mirë të arsimit dhe për rrjedhojë do të rezultonin me një pikësim dhe rezultat më të mirë”, tha ai.

Për rezultate më të mira në këtë testim, Qehaja thotë se duhet të instalohet një politikë e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë. Për të është e pakuptimtë dhe e pa tolerueshme që një dështim si testi PISA të tejkalohet pa kurrfarë ndëshkimi, dhe se sipas tij kjo duhet të ndryshojë.

Qehaja: Faji për dështim në PISA është i Ministrisë së Arsimit

“Faji për dështim në PISA është i Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit është politikë-bërëse e arsimit në vendin tonë, është organ përgjegjës për zbatim të procesit të mësimdhënies dhe si i tillë po të njëjtit përgjegjësia është e tyre. Çfarëdo tendence për me e shpërqendrua fajin ose me e bartë fajin diku tjetër është e pa tolerueshme, sikurse që është e pa tolerueshme që e vetmja përgatitje për testin PISA 2018 nga kjo qeverisje ka qenë ato kurse brenda shkollës për testim, pra parapërgatitje për testim. Mirëpo, parapërgatitja vetëm nuk sjell përmirësim në rezultat, është investimi që kjo ministri duhet të bëjë në përkrahje në kurrikulë, në tekste”, thotë Qehaja.

Rezultatet e testit PISA 2018 i ka komentuar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se gjendja e arsimit në Kosovë është e vështirë.  Ai ka kërkuar kujdes në cilësinë e arsimit, pavarësisht asaj se është bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe pagat e mësimdhënësve.

Haradinaj: Arsimi në gjendje të vështirë

“Nuk mund të mohohet se kemi gjendje të vështirë. Është bërë përpjekje e vazhdueshme për t’u përmirësuar infrastruktura, pagat, me ecë përpara, por duhet bërë kujdes edhe në cilësi”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Arsimit Shyqiri Bytyqi, ka thënë sot se ka pritur rezultate më të mira në këtë testim, por që sipas tij rezultatet nuk janë të mira dhe për të kuptuar arsyet e këtyre rezultateve ai tha se duhet kohë për t’i analizuar të gjitha raportet e shkollave dhe të nxënësve.

I pyetur se kush duhet të marrë përgjegjësi për dështimin e serishëm të Kosovës në testin PISA, Bytyqi tha se në kohën kur e ka marrë detyrën i ka pasur vetëm tre muaj kohë para mbajtjes së testit. Ai tha se duhet të shikohet sistemi arsimor dhe të shihet se çka duhet të përmirësohet.

Bytyqi: Kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi

“Tani se kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi, nuk mundet t’i drejtohet një personi, se më së paku mund të jemi ne, sepse ne po flasim për tre muaj. Ju e dini besoj që në takimin kur e kemi bërë shkëmbimin e marrjes së detyrës, ministri Bajrami deklaron se çfarëdo rezultati pozitiv, qoftë negativ do t’i kemi përsipër ne, kështu e thotë ministri Bajrami, por nuk është më rëndësi që t’i drejtohemi një individi. Pra, ne duhet ta shikojmë sistemin arsimor, cilat duhet të përmirësohen, çfarë përmirësimi duhet të bëhet...Nuk mund të bëhen për tre muaj përgatitje për të përmirësuar shkathtësitë e nxënësve, jo tre muaj, as tri vjet dhe as dy vite. Pra, duhet vite të tëra që të përgatitemi për shkathtësitë e nxënësve, për zbatimin e mirëfilltë të kurrikulës”, tha ministri Bytyqi.

Në testin PISA kanë marrë pjesë 5058 nxënës nga 211 shkolla, ndërsa kujtojmë se edhe në vitin 2015 vendi kishte shënuar rezultate të dobëta në testin PISA.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite.

PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 79 shtete.

PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që iu është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse ata mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së nxënësve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri.

PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi. Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t'i nënshtrohen testit, andaj konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat