Me LDK-në diskutojmë më vonë për Presidentin, thotë Arberie Nagavci e VV-së:

Aktuale

Me LDK-në diskutojmë më vonë për Presidentin, thotë Arberie Nagavci e VV-së:

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 08:56
Arbërie Nagavci

Arbërie Nagavci nga radhët e Vetëvendosjes thotë se prioritet është plotësimi i pozitave vakante, dhe jo ajo e presidentit, për të cilën thotë se do të diskutojnë më vonë.

“Nuk mund të thuhet se kanë ngecur negociatat, ajo çfarë është e rëndësishme është se tani jemi në një fazë tjetër. Ne kemi arritur marrëveshjen e plotë rreth programit qeverisës. Tani jemi në një situatë tjetër politike. Është obligim i Vetëvendosjes që të angazhohet maksimalisht dhe e kemi bërë në vazhdimësi, dhe kemi bërë propozimet e tona e njëjtë besoj se po bën edhe LDK-ja”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Kushtetuta e përcakton qartë se si zgjidhen pozitat e vendit.

“Fituesit të zgjedhjeve i takon të propozojë pozitën e kryeparlamentarit. Ndarja e ministrive 5 me 5 tregon situatën reale. Pozita e kryeminsitrit tani është e padiskutueshme. Ne e kemi thënë hapur se jemi të gatshëm të propozojnë një kandidat të LDK-së për pozitën e kryeparlamentarit”, ka thënë Nagavci në Interaktiv të KTV-së.

Tutje ajo ka shtuar se sa i përket pozitës së presidentit Kurti e Osmani, më parë, e kanë përmendur se s’do të diskutohet ajo pozitë.

“Për pozitat e tjera do të flasim kurdo që të vjen koha, por tani kemi obligim të plotësojmë pozitat vakante institucionale, prioritet është që të themelohet qeveria dhe të konstituohet Kuvendi. Pra, pasi të vendosen këto atëherë mund të diskutojmë edhe çështjen e presidentit por primare është themelimi i Qeverisë”, u shpreh Nagavci.

Sipas saj nuk ka mospajtime për ndarjen e digastereve, derisa pranon se ka qenë befasuese kërkesa e LDK-së për marrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Nuk besoj se ka pas mospajtime në ndarjen e digastereve, sepse ne kemi qenë të gatshëm të dëgjojmë në radhë të parë edhe kërkesat e LDK-së. Nuk kemi pritur që LDK-ja të kërkojë të udhëheqë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, megjithatë ne e kemi respektuar atë kërkesë. Dje kanë vazhduar diskutimet, dhe shpresoj se shumë shpejt do të përfundojnë. Vetëvendosje është shumë e interesuar që sa më shpejtë të arrijë marrëveshjen për themelimin e Qeverisë”, tha ajo.

Sipas saj brenda javës do të bëhen të gjitha të ditura për publikun.

“Do të kemi bashkëqeverisje, dhe nuk do të ketë mungesë të llogaridhënies. Jemi dakorduar që të ketë dy zëvendësministra dhe dy zëvendëskryeminista. Do të thosha se angazhimi jonë është të plotësojmë pozitat që janë të zbrazëta. Është mirë që kemi dakorduar 100 për qind programin qeverisës. Takimi ndërmjet Kurtit e Mustafës do të ndodhë brenda javës dhe shpresoj se do të arrihet marrëveshja”, ka thënë Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat