Ligji për pagat në Kushtetuese, Sindikata e Judikaturës mbështet Avokatin e Popullit

Aktuale

Ligji për pagat në Kushtetuese, Sindikata e Judikaturës mbështet Avokatin e Popullit

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 16:23
Ilustrim

Sindikata e Judikaturës mbështet Avokatin e Popullit lidhur me dërgimin e Ligjit për pagan ë Gjykatën Kushtetuese, që sipas tyre, ky institucion vetëm ka zbatuar të drejtën dhe obligimin kushtetues për referimin e Ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo sindikatë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që çfarëdo vendimi që do të nxjerrë në lidhje me çështjen e referuar nga Avokati i Popullit, ta bazojë në Kushtetutë, ligj dhe instrumente ndërkombëtare.

Sindikata e Judikaturës, në një reagim publik, ka deklaruar se në mbledhjen e jashtëzakonshme që kanë mbajtur sot, kanë trajtuar reagimet e shprehura në adresë të Avokatit të Popullit nga disa përfaqësues të sindikatave të tjera, lidhur me dërgimin e Ligjit për Paga në Kushtetuse nga Avokati i Popullit.

Sipas Sindikatës së Judikaturës, reagimet nuk janë të mbështetura në Kushtetutë dhe bazohen në interesa të ngushta të një pjese të punëtorëve në Republikën e Kosovës.

“Sindikata e Judikaturës, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit pas dërgimit të “Ligjit për Paga” nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese, në mbledhjen e jashtëzakonshëm të mbajtur më 6 dhjetor 2019, me keqardhje trajtoi reagimet e shprehura në adresë të Avokatit të Popullit nga disa përfaqësues të sindikatave të tjera. Sindikata e Judikaturës konsideron se këto reagime nuk janë të mbështetura në parimet e mëshiruara në Kushtetutë dhe Ligj por bazohen vetëm në interesat e ngushta të një pjese të punëtorëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, me këtë shprehim mbështetjen tonë të plotë për Institucionin e Avokatit të Popullit i cili vetëm ka zbatuar të drejtën dhe obligimin kushtetues për referimin e Ligjit në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Kujtojmë se dje, Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca 1 e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore.

Sipas Avokati të Popullit ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat