SHBA: Retorika nxitëse dhe revizionimi i historisë së Kosovës, të papranueshme - Bota Sot
SHBA: Retorika nxitëse dhe revizionimi i historisë së Kosovës, të papranueshme

Aktuale

SHBA: Retorika nxitëse dhe revizionimi i historisë së Kosovës, të papranueshme

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Ambasada amerikane në Prishtinë tha të shtunën se retorika nxitëse dhe përpjekja për ndryshimin e historisë janë të papranueshme.

Këto komente pasuan reagimet që nxiti presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili edhe të shtunën përsëriti qëndrimet e tij se masakra e Reçakut në Kosovë është e fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Dy ditë më parë ai nxiti shumë reagime kur e cilësoi masakrën “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker”.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Më 5 dhjetor një gjykatë në Prishtinë e dënoi me dy vjet heqje lirie një ish ministër serb të qeverisë së Kosovës për shkak të mohimit të kësaj masakre dhe ky vendim riktheu rrëfimin serb për të, gjë që nxiti reagime në shkallë të gjerë.

Të shtunën ambasada amerikane tha në një deklaratë se “retorika nxitëse dhe revizionizmi i historisë që kemi parë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme. Gjithashtu, duhet kujdes në përndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo në komunitet. Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë. Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe ri përqendrimi i energjive të tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian tha se “nuk ka vend për të mohuar apo relativizuar ngjarjet në Reçak të Kosovës. Vlerësimi i ndershëm i së kaluarës është i nevojshëm për shkak të respektit ndaj viktimave. Rajoni ka nevojë për pajtim, qëndrueshmëri dhe normalizim të marrëdhënieve”, shkroi ajo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi se paqja për brezat e ardhshëm në Ballkan mund të arrihet vetëm kur turpi dhe vetëm turpi do të përshkojë diskutimet për trashëgiminë e Sllobodan Millosheviçit.

Ai u bëri jehonë deklaratave të kancelares Merkel gjatë një vizite në Auschwitz ku ajo u shpreh e “turpëruar me krimet e gjermanëve”.

“Kancelarja Merkel në mënyrë dinjitoze foli në Auschwitz për turpin e autorëve të krimit. Udhëheqësit serbë flasin me krenari për gjenocidin. Ne do të arrijmë paqe për brezat e ardhshëm në Ballkan vetëm atëherë kur diskutimet për trashëgiminë e Millosheviçit do të përshkohen nga turpi dhe asgjë tjetër veç turpit”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se “ai (Vuçiç) refuzon ta quajë atë që ka ndodhur në Srebrenicë – gjenocid. Tani mohon masakrën e Reçakut. Ai dëshiron të ecë drejt së ardhmes paqësore pa i pranuar krimet e së kaluarës. Por, gjenocidi, varrezat masive dhe masakrat janë e vërteta e Serbisë. Është koha që Vuçiçi të përballet me këtë”, shkroi ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, shkroi se “Goebbelsi i propagandës së Millosheviçit tash është shndërruar në kampion të mohimit të krimeve të luftës. Skandaloze. Përfaqësuesit ndërkombëtar do të duhej të dënonin aktet e tilla me të cilat shtrembërohet e vërteta, fyhen viktimat dhe përpjekjet për ripajtim”.

Zëdhënësi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të presidencës shkroi se “ish-zëdhënësit e xhelatit Millosheviç dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine! Faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës. Krimi mbetet krim! As harrohet, as vjetërohet! Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme!”, shkroi mes tjerash zëdhënësi Tedi Blushi.

Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Një avokat në Prishtinë, ngriti kallëzim penal ndaj presidentit serb “për nxitje të urrejtës, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Masakra e Reçakut në vitin 1999 shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat