Me mijëra gra nga Kosova, po jetojnë me tmerrin që përjetuan gjatë luftës 98-99

Aktuale

Me mijëra gra nga Kosova, po jetojnë me tmerrin që përjetuan gjatë luftës 98-99

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 12:40
Foto ilustrim

Po jetojnë me plagët që ua la e kaluara, derisa mbesin të tmerruara nga mundësia e ekspozimit në publik, tash e dy dekada mbi supet e tyre po mbajnë sfidën më të madhe në jetë. Me mijëra gra nga Kosova, po jetojnë me tmerrin që përjetuan gjatë luftës 98-99. Traumat nuk po mbesin vetëm nën ‘lëkurën’ e tyre. Fëmijët që lindin pas luftës, po bartin me vete traumat e nënës, të cilat u dhunuan nga kriminelët serbë të udhëhequr nga shteti i Serbisë.

Meqë fatkeqësisht shumë prej tyre humbën jetën, e disa vendosën të mos jetojnë më, ‘heroinat e gjalla’ të Kosovës po jetojnë me frikën që nuk po arrijnë të jenë nëna të mira.   

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ishte 16 vjeçare kur u dhunua nga dy policë serbë, theksoi vështirësitë që ka pasur në rritjen e dy vajzave të saj, duke e fajësuar vetën për atë që i ka ndodhur.

E njohur si ‘ambasadore e guximit’, Krasniqi-Goodman e cila tashmë është nënë e dy vajzave, thekson se tek të dyja vajzat e saj, ka vërejtur një dozë të ankthit, e cila është bartur gjatë shtatzënisë.

Marrë parasysh shqetësimin e nënave kosovare, muaj më parë është publikuar edhe një hulumtim i cili tregon afektimin e fëmijëve të nënave që kanë qenë pjesë e dhunës seksuale gjatë luftës. Studimi nuk ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur nga dhuna seksuale gjatë luftës, por nga nënat viktima të dhunës seksuale.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti , thotë se së bashku me Institutin Danez kundër Torturës në Danimarkë, dhe me mbështetje financiare të Ambasadës britanike në Kosovë, kanë hetuar mekanizmat e mundshëm që shpjegojnë se si mund të kalohen efektet e traumës nga një brez në tjetrin.  

Sipas studimit, fëmijët e lindur nga nënat me çrregullime të stresit post-tramuatik gjatë shtatzënisë, kishin më shumë gjasa të kenë nivele të larta të kortizolit në krahasim me nënat pa çrregullime të stresit post-tramatik gjatë shtatzënisë.

Sipas saj, në rast se ka ambient të shëndoshë edhe pse janë prezente këto raste, mund të sanohen dhe nuk kanë pse të shqetësohen nënat. Ajo ka kërkuar nga institucionet një qasje gjithëpërfshirëse, që këto shqetësime të pasluftës të sanohen në periudhë të hershme, në mënyrë që këta fëmijë të gëzojnë një jetë normale.

Sami Rexhepi, neuropsikiatër thotë se vetë dhunimi seksual është një traumë e madhe që përjeton nëna, e cila fatkeqësisht e përcjell gjatë tërë jetës.

Këto trauma, Rexhepi thotë se nuk përcillen vetëm te fëmiu i dhunuesit, por te të gjithë fëmijët, nëna e të cilëve ka përjetuar traumën e dhunimit seksual.

Neuropsikiatri tregon se fëmijët mund të kenë ndryshime metabolike të sjelljes, por edhe të shëndetit mendor.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka kërkuar nga institucionet që të mos dalin me numra, por që të ofrojnë mundësi për trajtimin e duhur të këtyre fëmijëve.

Ndryshe, ky është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton në çrregullim të stresit post-traumatik, duke sugjeruar transmetimin ndër-brezore të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike te fëmijët.

Në Kosovë janë rreth 20 mijë gra e burra të cilët janë dhunuar seksualisht nga pushtuesi kriminel serbë, e për këtë asnjëri nga këta të fundit nuk është dënuar.

Pjesë e aparatit të Millosheviqit që kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci, ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ish kryeministri e tani ministër i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat