Reagon shefi i UNMIK-ut për deklaratat e Reçkut: Nuk mund të shtrembërohen ngjarjet historike në Kosovë

Aktuale

Reagon shefi i UNMIK-ut për deklaratat e Reçkut: Nuk mund të shtrembërohen ngjarjet historike në Kosovë

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 15:20
Zahir Tanin, Aleksandar Vuçiç

Zahir Tanin, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka shprehur shqetësimin e tij, për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike.

Tanin ka rikujtuar rëndësinë parësore të së drejtës për liri të mendimit dhe shprehjes siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson se është e nevojë e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike ose etnike. Tanin rikujton rëndësinë e të drejtës për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe thekson se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve që të kenë një diskurs që mbron besimin e ndërsjellë dhe respektin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga misioni i UNMIK’ut.

Kjo deklaratë e Tanin vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 5 dhjetor deklaroi se masakra e Reçakut është “trillim”.

Vuçiç i bëri këto komente pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijevic, i cili në muajin mars, në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë jugosllave kishte thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e presidentit serb Vucic nxiti reagime të zyrtarëve në Prishtinë, por edhe të zyrtarëve ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat