Sot fillon Java kundër korrupsionit - Bota Sot
Sot fillon Java kundër korrupsionit

Aktuale

Sot fillon Java kundër korrupsionit

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 10:12
Ilustrim

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, për vitin e katërt me radhë, janë bërë bashkë në Javën kundër Korrupsionit, e cila do të nisë sot.

Gjatë kësaj jave do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin Aktiviteti për Drejtësi Komerciale të USAID, prezantojnë të gjeturat e studimit rreth Perceptimit të Korrupsionit sipas Bizneseve.

Edhe Organizatat e Koalicionit do të publikojnë Kalendarin e Aktiviteteve të Javës kundër korrupsionit. Ndërsa, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizon ekspozitën dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën për fotografinë më të mirë kundër korrupsionit 2019.

Lëvizja FOL mban tryezë diskutimi me temë “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, teksa UNDP dhe Agjencia zvicerane për zhvillim dhe kooperim SDC organizojnë ceremoni të ndarjes së çmimeve për gazetari me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Po me rastin e kësaj dite, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimi për Drejtësi” me rastin e shfaqjes së premierës së dokumentarit “Sinjalizuesit e korrupsionit”, kanë organizuar një program, ku do të flasë edhe zëvendës shefi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Ndryshe, Java Kundër Korrupsionit, e cila mbështetet nga Ambasada amerikane në Prishtinë, do të zgjasë deri më datën 13 dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat