Edhe amerikanët i shqetëson rezultati i dobët në testin PISA - Bota Sot
Edhe amerikanët i shqetëson rezultati i dobët në testin PISA

Aktuale

Edhe amerikanët i shqetëson rezultati i dobët në testin PISA

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 14:58
Foto ilustrim

Sipas rezultateve më të reja të testit PISA, shkathtësitë e nxënësve amerikanë në të kuptuar të leximit dhe matematikë kanë ngecur që nga viti 2000, pavarësisht përpjekjeve dhjetëvjeçare për rritjen e standardeve në arsim dhe ndihmës së dhënë për nxënësit që të garojnë me shokët e shoqet e tyre anembanë botës.

Dallimi në arritje shkollore mes nxënësve të dalluar dhe nxënësve të dobët në Shtetet e Bashkuara është duke u rritur. Ndonëse çereku i më të mirëve ka shënuar rezultate më të larta në këtë test nga viti 2012 e tutje, 10 për qind e nxënësve të dobët kanë shënuar rezultate edhe më të pakënaqshme.

Në përgjithësi, 15-vjeçarët amerikanë, të cilët iu nënshtruan testit PISA, arritën rezultate pak më të mira se shtetet e tjera në të kuptuar të leximit, por shënuan rezultate më të dobëta se mesatarja në matematikë.

Ekspertët e arsimit thonë se shkaktarë të rezultatit të pakënaqshëm në këtë test mund të jenë ndarja e shkollave, zgjedhjet e kufizuara në shkollë, pabarazitë në aspektin e fondeve, varfëria në familje dhe përqendrimi i tepërt në këtë test.

Ndryshe, rreth një e pesta e fëmijëve 15-vjeçarë amerikanë kanë shënuar rezultate aq të dobëta në testin PISA, saqë duket se nuk i kanë zotëruar as shkathtësitë e leximit që do të duhej t’i kishin fëmijët dhjetëvjeçarë, thotë Andreas Schleicher, drejtor për edukim dhe shkathtësi në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, i cili e ka mbikëqyrur këtë test.

Për shkak se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një sistem të centralizuar për trajnimin e mësimdhënësve ose shpërndarjen e materialeve udhëzuese për cilësi në arsim, shtetet dhe distriktet nuk i kanë zbatuar gjithmonë në mënyrë të efektshme nismat dhe programet arsimore, shkruan “New York Times”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat