Testi PISA, Jashari: Mësuesit janë më së paku fajtorë

Aktuale

Testi PISA, Jashari: Mësuesit janë më së paku fajtorë

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 17:06
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka autorizuar kryetarin e kësaj sindikate që nesër të vendosë rreth mbajtjes së një greve dy orësh të premten, vendim i cili do të merret pas konsultimeve me Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe atë të Shëndetësisë.

Paralajmërimi për grevë vjen pasi që Ligji për paga është dërguar në Gjykatën Kushtetueses nga Avokati i Popullit.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari, tha se nesër në bashkëveprim me Sindikatën e Shëndetësisë dhe Sindikatën e Policisë do të marrin vendimin se si do të veprojnë.

Jashari: Nesër do t’iu njoftojmë se a do të shkohet në grevë

“Këshilli drejtues më dha autorizimin që unë nesër të bëj një komunikatë për shtyp për media dhe t’i njoftoj se në të vërtetë do të shkohet të premten në grevë. Gjasat janë shumë të mëdha që kjo të ndodhë karshi edhe diskutimeve këtu, por edhe karshi informatave që i kemi nga Këshilli Drejtues i Shëndetësisë”, tha ai.

Jashari tha se greva do të jetë e veprim i përshkallëzuar, ku ai tha se nëse merret vendim që të mbahet grevë, pastaj Këshilli Drejtues do të marrë vendim se si do të veprohet tutje. Ndërsa, nuk ka përjashtuar as mundësinë që të ketë grevë afatgjate sikur gjatë kohës kur kanë kërkuar rritje të koeficientit.

Jashari: Greva do të jetë veprim i përshkallëzuar

“Greva do të jetë veprim i përshkallëzuar, do të jetë vetëm të premten dy orë dhe pastaj në komunikim do të marrim hapa të tjerë. Sa i takon pyetjes, verdikti i Gjykatës së Apelit e ka thënë një herë e përgjithmonë, jo dy orë, po 1 mijë orë nëse humbin në sistemin arsimor për shkak të grevave të arsyeshme nuk do të ketë kompensim të orëve”, tha ai.

Jashari tha se me këtë veprim nuk po i bëjnë presion Avokatit të Popullit apo Gjykatës Kushtetuese, por po tregojnë se janë në mbrojtje të Ligjit për paga, për të cilin tha se kanë dhënë një kontribut të madh në hartimin e tij.

I pyetur rreth asaj se pse si sindikatë reagojnë vetëm për paga dhe jo për rezultatet e Kosovës në testin PISA, Jashari u shpreh se mësuesit janë fajtorët më të pakët për rezultatin e Kosovës në këtë testim.

Jashari: Fajtori më i pakët në botë është arsimtari

“E kam thënë dhe do ta them gjithmonë, fajtori më i pakët në botë është arsimtari, ngase te ne janë bërë eksperimente të vazhdueshme, mësuesi është lënë vetëm në betejën për dije, shkollat tona punojnë me shkumës dhe shpuza, nuk është investuar në shkolla dhe unë po them përgjegjësit janë ata që kanë punuar kurrikulën. Përgjegjësit janë institucionet e Kosovës dhe po e them mësuesi në shkollë shkon për t’i kryer obligimet që i ka me tekstin shkollor që i ofrohet dhe kurrikulën që i ofrohet”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së universiteteve të Kosovës, Bardh Bardhi, ka thënë se pjesa administrative e universiteteve është e anashkaluar në ligjin e pagave, për çka ai tha se do të abstenojë.

Bardhi: Nuk mund të them as jam pro grevës, as kundër grevës, sot abstenoj

“Universitetet me ligjin e pagave, sidomos pjesa administrative është e anashkaluar, kështu që unë sot nuk mund të them as jam pro grevës, as kundër grevës, sot abstenoj. Pa vendimin e bazës nuk mund të veproj asgjë, gjatë kësaj jave do ta kemi një takim dhe definitivisht e lajmëroj kryesinë”, tha ai.

Ligji i ri për pagat ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, por ai është dërguar nga Avokati i Popullit në Kushtetuese dhe është në pritje të vendimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat