Arrestohet Xhabir Zharku, policia jep detaje

Aktuale

Arrestohet Xhabir Zharku, policia jep detaje

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 21:03
Xhabir Zharku

(E plotësuar) - Sot është arrestuar ish-kryetari e Kaçanikut, Xhabir Zharku, pasi që dyshohet se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Lajmin e ka konfirmuar zyrtari i Policisë për Informim, Baki Kelani, i cili ka bërë të ditur se rasti i keqpërdorimit dyshohet se është kryer në vitit 2010 në Kaçanik.

“Sot, më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ‘Ushtrim i ndikimit’”.

“Rasti dyshohet se ka ndodhur në vitin 2010 në Kaçanik. Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

***

Departamenti i Krimeve Ekonomike në Ferizaj gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një operacion shumë të suksesshëm i cili ka rezultuar me arrestimin e ish kryetarit të Komunës së Kaçanikut.

Arrestimi i tij është bërë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare derisa ishte kryetar i komunës së Kaçanikut në vitin 2010.

Ish-kryetari Zharku më 2010-n ia kishte dhënë një parcelë prej disa arësh në shfrytëzim një kompanie private e cila ndërkohë ia ka shitur një kompanie tjetër me pa të drejtë ligjore. Ndërkohë, kompania blerëse ka ndërtuar një objekt banesor dhe e ka paditur komunën që më pastaj Gjykata ia ka njohur të drejtën kësaj kompanie dhe prona ka kaluar në emër blerësit.

Ndërkohë ish kryetari Zharku, nuk e ka lejuar zyrtaren ligjore të iniciohet një ankesë në shkallën e dytë të gjykatës pasi që ajo parcelë nuk është dashur të shitet në këtë mënyrë. Ish Kryetari Zharku tashmë përveç lëndës për keqpërdorim të detyrës zyrtare do të përballet edhe me një lëndë tjetër “ndikim i presionit ndaj zyrtares ligjore”.

Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

E arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe miku i ngushtë i Xhabir Zharkut, Nasim Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se Zharku është arrestuar për një denoncim tjetër të bërë në vitin 2010, dhe jo për akuzat e vjetra për të cilat ai ishte dënuar.

Kujtojmë se Xhabir Zharku në vitin 2011 u dënua me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtje pa leje.

Pas konfirmimit të dënimit, Zharku u largua nga Kosova duke i ikur kështu shkuarjes në burg.

Për gati 5 vjet e gjysmë ish-kryetari i Kaçanikut dhe ish-zyrtari i PDK-së (Partisë Demokratike të Kosovës), qëndroi në arrati në Suedi.

Nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë ende detaje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat