(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur heshtjen pas mbledhjes që zgjati më shumë se tri orë të kryesisë së kësaj partie që u mbajt në ditën e takimit të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me presidentin Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit.
Derisa sot gjatë ditës Kurti në takim me Thaçin nuk solli emrin për mandatarin që do të formojë qeverinë e re, asnjë nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është prononcuar për media.
Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa ka bërë të ditur shkurt se do të lëshojnë një komunikatë për media.
Këto takime të sotme janë zhvilluar për mundësinë e arritjes së një marrëveshje bashkëqeverisëse me LVV-në.
Ndryshe, presidenti Thaçi ka kërkuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit, duke i dhënë afat prej 48 orësh për propozimin e mandatarit.
Fillon takimi i Grupit Parlamentar të LDK-së
Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së, ndërsa mbledhja e Kryesisë e kësaj partie është paraparë të mbahet në 14.30.
Këto takime, po zhvillohen për mundësinë e arritjes së koalicionit bashkëqeverisës me VV-në.
Ndërsa, në orën 15:00 sot pritet të takohen lideri i VV-së Albin Kurti me presidentin Hashim Thaçi për t’u konsultuar për mandatarin.
Kujtojmë se më 26 dhjetor është zgjedhur kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me mbështetjen e LDK-së.
***
Deklarimet pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së (Drejtpërdrejt)
***
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot në orën 13.00 në selinë e saj do ta mbajë mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa gjysmë ore para takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, përkatësisht në orën 14:30 do ta mbajë mbledhjen e kryesisë.
Gjatë fillimit të këtij muaji pritet të vazhdojnë takimet në mes LDK-së dhe VV-së për mundësinë e arritjes së marrëveshjes së koalicionit.
Zyrtarët e LDK-së, mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje e kanë lënë në duar të VV-së, pasi kanë thënë se kjo e fundit pasi ka zgjedhur Glauk Konjufcës, kryetar të Kuvendit të Kosovës, duhet ta japë një arsye të fortë për vazhdimin e bisedimeve për koalicionin qeverisës.