Si i la Kurti jashtë Qeverisë nga Rexhep Selimi, Liburn Aliu, Kurteshët e deri te Hekuran Murati

Aktuale

Si i la Kurti jashtë Qeverisë nga Rexhep Selimi, Liburn Aliu, Kurteshët e deri te Hekuran Murati

Më: 7 janar 2020 Në ora: 22:00
Lëvizja Vetëvendosje

Në listën e ministrave, të VV’së që për herë të parë synon krijimin e Qeverisë mungojnë figurat kryesorë të kësaj partie, opozitarët e përjetshëm Rexhep Selimi e Liburn Aliu. As Kurteshët e Xhelal Svecla nuk do të jenë në Qeveri. As ata që supozohej se ishin asetet e reja të VV’së, si ekonomisti Hekuran Murati, nuk do të jetë në kabinetin qeveritar të Kurtit.

Lideri i Lëvizjes Vetvëvendosje ka propozuar gjashtë emrat që do të përbënin kabinetin e tij qeveritar nga VV’ja.

Zëvendëskryesministër e ka propozuar Haki Abazin, i cili në VV është anëtarësuar pak para zgjedhjeve të 6 tetorit. Abazi njihet për betejën e tij në studio televizive me Dardan Molliqajn në Televizionin 7 gjatë fushatës, e cila eskaloi më pas me rrahje mes tyre.

Molliqaj nuk e pranonte në debat Abazin, pasi e cilësonte se nuk është tamam Vetëvendosje dhe se donte të përballej me fytyrat e vjetra të ish-partisë së saj.

Megjithatë Abazi do të bartë pozitën më të rëndësishme në Qeveri, pas kryetarit Kurti.

Përvec Abazit, në listën e favoritëve të Kurtit është edhe Rozeta Hajdari, e cila as nuk ka qenë pjesë e VV’së. Ajo është propozuar për ministre të Ekonomisë, Tregtisë dhe Transfereve.

E, Ministrinë e Financave është propozuar Besnik Bislimi, i cili vetëm pas largimit të Molliqajt, Shpend Ahmetit, Visar Ymerit, ka arritur në pozita drejtuese të partisë.

Ndërkaq jo të gjitha prurjet e reja kanë pasur fatin të shpërblehen me pozita të ministrave.

Ekonomisti Hekuran Murati, që është nga më të njohurit në Kosovë, u anëtarësua në Vetëvendosje pak para zgjedhjeve, duke dalë i pesti më i votuari në VV. Mendohej se Murati tanimë ishte një nga eksperët e VV’së që do të përbënte edhe kabinetin qeveritar, megjithatë deri tash duket se anëtari i VV’së do të jetë vetëm deputet. 

As opozitarët e përjetshëm në VV si Liburn Aliu e Rexhep Selimi, që ishin figurat kryesore të kësaj partie për shumë vite, nuk do të përbëjnë Qeverinë që Kurti mendon ta udhëheqë.

Përvec tyre, në listën propozuese të liderit të VV’së nuk janë as Sami Kurteshi, Ismail Kurtesh e Xhelal Svecla, të cilët po ashtu janë në kryesi të partisë.

Deputetja e disa mandateve, Albulena Haxhiu, ndërkaq, sipas gjitha pritjeve, është propozuar për ministre të Drejtësisë.

Ministrinë e Punëve të Jashtme Kurti ia ka besuar profesorit shqiptar Blerim Rekës, i cili në zgjedhjet e fundit të Maqedonisë Veriore, kandidoi për president.

Reka s’ka qenë asnjëherë pjesë e VV’së, ndërsa në zgjedhjet e jashtëzakonshme ka dalë publikisht në përkrahje të Albin Kurtit.

Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit është propozuar Arben Vitija, i cili u bë i njohur si drejtor i Shpend Ahmetit në Prishtinë, me të cilin patën probleme pas ndarjes së VV’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat