Takimi i sotëm Kurti-Mustafa në orën 15:30

Aktuale

Takimi i sotëm Kurti-Mustafa në orën 15:30

Më: 9 janar 2020 Në ora: 13:21
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, do të ritakohen sot.

Një burim i Koha.net brenda VV-së njofton se ky ritakim do të ndodhë sot në orën 15:30 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Nuk dihet me siguri se a do të ketë sot marrëveshje përfundimtare për koalicionin qeverisës, por ky burim në kushte anonimiteti ka theksuar se gjasat janë të mëdha të arrihet, pasi shohin optimizëm edhe nga LDK-ja.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme nga të dyja partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, por që zvarritën arritjen e një marrëveshjeje, janë shprehur optimiste për afrimin e marrëveshjes.

Kujtojmë se dje pas diskutimeve triorëshe mes Kurtit e Mustafës, dy subjektet kanë dhënë nga një deklaratë të shkurtër dhe të koordinuar. Fillimisht zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka folur para mediave duke thënë se “ka lëvizje në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes”, teksa ka paralajmëruar takimin e radhës.

Pak minuta më vonë është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër (sot, e enjte)”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Pak para takimit Kurti ka deklaruar se bisedimet kanë rifilluar dhe se së shpejti do të ketë marrëveshje, ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme të shihet nëse do të arrihet marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat