Flet nëna që iu vodhën dokumentet e djalit me leukemi,ka një lutje

Aktuale

Flet nëna që iu vodhën dokumentet e djalit me leukemi,ka një lutje

Më: 9 janar 2020 Në ora: 14:11
Ilustrim

Në parkingun e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, zonja nga Peja Blerina Boqolli sot e parkoi veturën e saj. Nga aty me një batanije të mbështjellë e kishte çuar djalin e saj, 3-vjecarin, Idealin, për t’i kryer disa kontrolle pranë pediatërve të klinikës. Në veturën që e kishte lënë para hyrjes, asaj iu vodhën nga persona ende të panjohur dy çanta. E saj, dhe një çantë tjetër ku po e mbante të gjithë dokumentacionin e djalit të cilin me datë 20 janar do ta dërgojnë për shërim në Turqi. Media ka biseduar me nënën e vogëlushit. Ajo ka shpjeguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja. Ndërkohë rastin ajo e ka paraqitur në polici.

Ideali 3-vjecar në këto ditë të ftohta thuajse dy-tri herë në javë e merrte rrugën nga Peja për në QKUK bashkë me nënën e tij Blerinën. Qëllimi që kishin shkuar atje ishte që Ideali t’i merrte terapitë e t’i kryente kontrollet pranë mjekëve pediatër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Kjo pasi që 3-vjeçari ka më shumë se një muaj që është diagnostikuar me sëmundjen e leukemisë. Shërimin për të njëjtën e ka gjetur në Turqi,  shtet ky në të cilin ata kanë planifikuar që të udhëtojnë me datë 20 të këtij muaji.

Por një ngjarje e rëndë i ka ndodhur nënës së Idealit. Asaj nga vetura që ishte parkuar në oborrin e Pediatrisë i janë vjedhur dy çanta. Çanta e saj personale dhe një çantë e llap topit në të cilën ajo e kishte lënë të gjithë dokumentacionin e djalit me të cilin do të nisen me 20 janar në Turqi.

Gazeta Express, ka kontaktuar me Blerinën, ajo ka shpjeguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

“Unë bashkë me djalin sot në mëngjes u nisëm nga Peja për në Klinikën e Pediatrisë. Aty Ideali tash e një kohe i kryen kontrollet ngase është diagnostikuar me leukemi. E mora djalin nga vetura, i lash çantat, ngase djalin e kapa në krah, e mbështolla se ishte ftohët dhe u nisa drejtë klinikës”, thotë ajo.

Ajo tregon se për më shumë se gjysmë ore ka qëndruar pranë djalit i cili po i kryente kontrollet nga mjekët pediatër të QKUK’së.

“Qëndrova në klinikë për rreth 40 minuta. Më pas dola edhe e pash që çantat nuk janë aty. Unë një lutje e kam. Që vetëm dokumentacionet e djalit të mi kthejnë. Me datë 20 janar do ta dërgojmë në Turqi për shërim”, ka rrëfyer nëna e Idealit të cilës persona ende të panjohur ia vodhën sot çantat nga vetura.

E gjithë rastin kjo zonjë e ka paraqitur në Policinë e Kosovës.

Ndërkohë që për fatin e keq, në zonën ku asaj i janë vjedhur çantat nuk ka kamera të sigurisë. Kështu kanë deklaruar zyrtarë të QKUK’së.

Të gjithë ata që kanë informacione dhe që hasin në dokmunete me emrin e Ideal Boqollit, të lajmërohen pranë qendër më të afërt në Polici ose në numrin e nënës së 3-vjecarit, Blerina Boqolli: 043555300

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat