Nga Vetëvendosje vjen lajmi i fundit: Kjo është ftesa e re për LDK-në

Aktuale

Nga Vetëvendosje vjen lajmi i fundit: Kjo është ftesa e re për LDK-në

Nga: N.Sh Më: 10 janar 2020 Në ora: 16:20
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të qeverisin bashkë.

“Ejani të qeverisim bashkë jo siç them unë apo siç thua ti, por siç thotë projekti për ndryshim e transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për çka edhe jemi votuar”, shkruan Bajqinovci, përcjell gazeta “Bota sot”.

Ai tutje ka treguar se me LDK-në janë pajtuar për programin, por duhet të pajtohen edhe për parimet udhëheqëse dhe në pushtet të mos shkojnë për vete, por për njerëzit.

“Lëvizja është duke punuar shumë që marrëveshja për bashkëqeverisje, të reflektojë përmbajtje të tillë që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli. Dhe nuk po flasim këtu thjesht dhe vetëm për votuesit e LVV, por edhe ata të LDK, sepse edhe ai elektorat ka votuar me bindje dhe motive të përafërta: çkapje e shtetit, instalim i meritokracisë, rikthimin e rendit dhe të ligjit”, ka shkruar tutje deputeti i LVV-së.

Ai ka thënë se e kanë obligim që ta nxjerrin vendin nga kriza.

Postimi i plotë nga Mefail Bajqinovci:

Njëri nga nënkryetarët e LDK –së, paska deklaruar se “LDK i ka humbur zgjedhjet nuk është parti e parë, jemi të detyruar t’i presim hapat e LV – së që është përgjegjëse për krijim të institucioneve”, një qëndrim ky tërësisht korrekt i tij ashtu sic ne jemi të bindur se LDK, është një partner me një legjitimitet demokratik të respektueshëm i cili ka ardhur nga opozitarizmi i koordinuar mirë në Kuvendin e Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, pra një binom i mandatuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës si opsioni më i besueshëm për të bërë ndryshimet rrënjësore në qeverisjen e vendit.

Lëvizja është duke punuar shumë që marrëveshja për bashkëqeverisje, të reflektojë përmbajtje të tillë që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli. Dhe nuk po flasim këtu thjesht dhe vetëm për votuesit e LVV, por edhe ata të LDK, sepse edhe ai elektorat ka votuar me bindje dhe motive të përafërta: çkapje e shtetit, instalim i meritokracisë, rikthimin e rendit dhe të ligjit.

Ne duhet ta zbatojmë këtë vullnet, e kemi obligim ta nxjerrim vendin nga kriza. Këtë duhet ta bëjmë në mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë fillimisht duke e kuptuar e lexuar zërin e qytetarëve, pastaj duke përjashtuar cdo metodë, skemë e mendësi të kuptimit të pozitave e pushtetit, sikurse në modelin e të kaluarës.

Jemi pajtuar për programin, duhet të pajtohemi edhe për parimet udhëheqëse dhe në pushtet të mos shkojmë për vete, por për njerëzit. Ejani të qeverisim bashkë jo sic them unë apo sic thua ti, por sic thotë projekti për ndryshim e transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për cka edhe jemi votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat