Kryeprokurori i Shtetit kërkon nga policia që të marr masa ndaj kërcënuesve të Drita Hajdari

Aktuale

Kryeprokurori i Shtetit kërkon nga policia që të marr masa ndaj kërcënuesve të Drita Hajdari

Më: 11 janar 2020 Në ora: 16:30
Aleksander Lumezi

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënojnë fuqishëm kërcënimin me likuidim fizik dhe kërcënimet e tjera, të bëra gjatë ditës së sotme ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.

Sipas Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit, këto kërcënime serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në reagim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sigurojnë opinionin publik se kërcënimet publike ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe asnjë çast synimet dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për krijimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen parimet e drejtësisë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores Drita Hajdari janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç’rast kanë urdhëruar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat