Vjen parashikimi, Kujtim Shala për president i pranueshëm për Vetëvendosjen, këtë post do ta ketë Vjosa Osmani

Aktuale

Vjen parashikimi, Kujtim Shala për president i pranueshëm për Vetëvendosjen, këtë post do ta ketë Vjosa Osmani

Nga: N.H Më: 11 janar 2020 Në ora: 18:29
Kujtim Shala dhe Vjosa Osmani

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, ka thënë se emri i Kujtim Shalës për president duhet të jetë i pranueshëm për Vetëvendosjen.

Ky koment i Loshit, vije pasi në media gjatë ditës është raportuar se Lidha Demokratike ka propozuar nënkryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik, Kujtim Shala për president të vendit, në kuadër të tentimit për arritjen e një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, sipas Loshit duhet ta ketë postin e zëvendëskryeministrit të parë, dhe kështu nuk do të ketë pengesa formale që ajo të mbetet një kandidate potenciale për kryetare të LDK-së në të ardhmen.

Ja shkrimi i tij:

Image
Liri Loshi

Emri i Kujtim Shalës për president duhet të jetë i pranueshëm për Vetëvendosjen. Nëse kishte ngelur puna të emri, më nuk ka çfarë të pritet. Vjosa Osmani duhet ta ketë postin e zëvëndëskryeministrit të parë dhe kështu nuk do të ketë pengesa formale që ajo të mbetet një kandidate potenciale për kryetare të LDK-së në të ardhmen.

LDK ende nuk e ka përmbyllur procesin e reformimit, prandaj duhet ta vazhdojë atë. Ndërkohë Vetëvendosja ka nevojë të riorganizohet nëse dëshiron ta ketë primatin e promotorit të proceseve politike në Kosovë në një garë të fortë demokratike me LDK-në e reformuar, e cila do të ishte një konkurrente serioze e jetës politike në Kosovë. Por, simpatizantët e LDK-së nuk duhet pasur entuziazëm të tepruar, sepse në procesin e reformimit LDK ka ende pengesa serioze nga garda vjetër, e cila nuk do të lë gur pa lëvizur për t’i ruajtur privilegjet e veta. Pervoja e së kaluarës na tregon se individët dhe klanet brenda LDK-së, kur është në pyetje interesi vetanak, nuk çajnë kokën shumë për partinë.

Kosovës i duhen parti politike që krijojnë ambient të mirëfillët të konkurrencës, në mënyrë që mbi këtë bazë të udhëheqet vendi e jo në baza të një meritokracie të rreme siç ka ndodhur deri më tash. LDK dhe PDK janë në pozitë më të pavolitshme, mu për shkakun e numrit të madh të meritokratëve që mbajnë brenda e të cilët kanë pas vetes pjesën kryesore të elektoratit, i cili nuk është i emancipuar politikisht deri në atë masë sa të dijë ta bëjë dallimin mes politikanëve që kanë synim interesin e vendit dhe atyre që kanë interesin personal.

Vetëvendosja është në pozitë më të volitshme, meqë brenda saj ende nuk janë krijuar shtresa të diferencuara meritokratesh që duan pushtet pa iu nënshtruar konkurrencës së brendshme. Shih për këtë, një riorganizim, apo rirenditje e kuadrit politik brenda partisë, duke përcaktuar qartë rolin e secilit në bazë të aftësive, pervojës dhe vullnetit për punë, do ta mbante këtë grup politik si forcën kryesore në dekadën e re.

Në sfond po shihet një tendencë reformuese brenda partive dhe ky është lajm i mirë për Kosovën, meqë reformimi i një partie nxit reformimin e partisë tjetër dhe kështu krijohet një skenë e re politike me njerëz të rinj dhe të denjë për t’u marrë me politikë e për t’i shërbyer vendit me devitshmëri dhe vetëmohim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat