Kjo është oferta e fundit e Vetëvendosjes për LDK-në, të cilën e përmendi vet Kurti

Aktuale

Kjo është oferta e fundit e Vetëvendosjes për LDK-në, të cilën e përmendi vet Kurti

Nga: D.RR Më: 12 janar 2020 Në ora: 19:18
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje, gjatë ditës së sotme ka publikuar fjalimin e liderit të tyre, Albin Kurtit, para partisë së tij, ku ka treguar se ka përafrim me LDK-në, por që nuk garanton marrëveshje.

Sipas komunikatës, Kurti ka treguar se i ka dhënë LDK-së një ofertë të re, të cilën LDK-ja do ta shqyrtojë në këshillin e saj, mirëpo nuk ka treguar se për çfarë oferte bëhet fjalë.

Por gazeta “Bota sot”, përmes burimeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje, mëson se Kurti i ka ofruar LDK-së 7 ministri dhe postin e presidentit, po që një ministri duhet t’i kthehet LVV-së kur LDK-ja ta merr zyrtarisht postin e presidentit.

Të njëjtat burime i kanë thënë “Bota sot” se lideri i VV-së, Albin Kurti, nuk dëshiron në asnjë mënyrë që postin e kryetarit të Kuvendit ta kthejë në tavolinën e bisedimeve, post që tani i takon LVV-së dhe e mban Glauk Konjufca.

Gazeta "Bota sot" ka dërguar pyetje në zyrën për media të VV-së, ku ata nuk e kanë mohuar këtë lajm,e as pohuar.

"S'mund të them asgjë më shumë se fjalimi i Kryetarit Kurti që e ka mbajtur sot në mbledhje me qendrat", ka thënë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.

Ndryshe, LDK-ja pritet të mbledh nesër kryesinë e saj, për ta diskutuar ofertën e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat