Pas letrës së Kurtit, Presidenca nuk e përjashton mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Aktuale

Pas letrës së Kurtit, Presidenca nuk e përjashton mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Më: 13 janar 2020 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kuadër të funksionalizimit të institucioneve t’i parashtrojë ndonjë kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Nga zyra e Presidentit thonë se ata do të jenë të obliguar të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur detyrimin kushtetues të tyre.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Presidentit.

Janë bërë një javë që kur ka qenë takimi konsultativ mes fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi. Ky i fundit përmes një letre i ka kërkuar Kurtit që partia e tij të ofrojë mandatarin për kryeministër.

“Në cilindo rast të pranimit ose refuzimit të propozimit të kandidatit për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejt, sipas premtimit tuaj nga takimi ynë”, thuhet në letrën e presidentit.

Derisa sot, Kurti përmes një letre ka adresuar akuza karshi presidentit, duke e cilësuar si të njëanshëm.

Edhe pas tre muajve që kur kanë përfunduar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat