Baton Haxhiu i reagon LVV-së: Albin Kurti nuk ju ka treguar për takimet me Hashim Thaçin

Aktuale

Baton Haxhiu i reagon LVV-së: Albin Kurti nuk ju ka treguar për takimet me Hashim Thaçin

Më: 13 janar 2020 Në ora: 21:12
Albin Kurti dhe Baton Haxhiu

Publicisti Baton Haxhiu insiston në vërtetësinë e deklaratës së tij se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi janë takuar edhe dy herë të tjera, para takimit zyrtar të 6 janarit në Presidencën e Kosovës.

“Z.Thaçi dhe Z.Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, ka thënë ai në Info Magazine, duke reaguar në deklaratën e drejtuesit të emisionit se takimi prej katër minutash i Thaçit dhe Kurtit ishte shumë i shkurtër.

Pas kësaj ka reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Haxhiut.

Këtij njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje i është përgjigjur publicisti Haxhiu. Ka thënë se Kurti “me siguri nuk i ka treguar askujt nga partia e tij për takimin me Thaçin”.

“E kuptoj z.Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këtë takim askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më demantojë vet ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse ka gënjyer ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Kurti dhe Thaçi janë takuar dy herë, me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar.

“Para takimit zyrtar kanë ndodhur edhe dy takime tjera. Për hir të korrektësisë nuk dua ta përmend ndërmjetësuesin. Takimi i parë ka ndodhur me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar. Takimi i dytë ka ndodhur me pajtimin e të dyve, pa ndërmjetësim”, ka thënë Haxhiu.

Përmes një përgjigje me shkrim, Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë sot se publicisti Haxhiu ka gënjyer në deklaratën e tij për “takimet Thaçi-Kurti”.

“Baton Haxhiu po rren dhe kjo s’përbën lajm”, thuhet në përgjigjen e LVV-së. “Presidentit më në fund po ia shpjegojnë rolin e vet, që është ceremonial e formal”.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se Haxhiu punon për interesa të presidentit Thaçi dhe “kundër Vetëvendosjes”.

“I zënë ngushtë në këtë pasivitet të sapozbuluar, ka mundësi t’i ketë dërguar letër Baton Haxhiut e t’i ketë kërkuar ta nxjerrë nga situata. Ky i fundit i gatshëm është të gënjejë, në ndihmë të presidentit e kundër Vetëvendosjes”, nënvizoi LVV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat