Isa Mustafa: Nuk do të kemi takime 2-3 orëshe, ose kryhet ose e këpusim

Aktuale

Isa Mustafa: Nuk do të kemi takime 2-3 orëshe, ose kryhet ose e këpusim

Më: 15 janar 2020 Në ora: 12:19
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar sot se nuk do të shqyrtojnë ofertën e djeshme të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, pasi sipas tij ata do të diskutojnë vetëm parimet që i kanë vendosur më herët për ndarje të pushtetit. Derisa theksoi se takimi i radhës do të jetë i fundit ku do të dihet epilogu se a do të ketë koalicion qeverisës mes tyre, apo jo.

I pari i LDK-së, para gazetarëve në selinë e partisë së tij, tha se edhe më tutje mbesin në qëndrimet e tyre për postin e kryeparlamentarit, pesë ministri dhe zotimin për presidentin. Për këtë ai tha se i kanë përcjell me shkrim ofertën e tyre.

Mustafa: Në organet tona nuk e shqyrtojmë ofertën e VV-së

“Ne nuk kemi hyrë ta vlerësojmë atë që na ka shkruar Vetëvendosje, sepse nëse e trajtojmë në organet tona trajtohen vetëm parimet mbi të cilat ne vazhdojmë të bëjmë biseda, në asnjë rast nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, ndryshim, këmbim të ministrive, por kemi kërkuar marrëveshje të partneritetit, prandaj si të tillë nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë, por i trajtojmë qëndrimet tona. Se a mbetet LDK edhe më tutje pranë qëndrimin se të ketë kryeparlamentarin, të ketë zotimin për presidentin e vendin dhe të ketë 5 ministri. Ose nuk mbetet, qëndrimi ka qenë ky se ne duhet të kemi këto pozita. Çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa marrjen e verifikimit të organeve tona”, tha ai.

Mustafa tha se nuk do të takohen më me LVV-në vetëm për t’u takuar, por vetëm për të arritur marrëveshjen përfundimtare, gjë të cilën nuk e mohoi se mund të ndodhë brenda kësaj jave.

Për këtë arsye, tha se do të presin si do të reflektojë Vetëvendosja pas ofertës së sotme të tyre.

Mustafa: Nuk shoh arsye të flasim për tre orë dhe të dalim si memecë

“Nuk shoh arsye që të ulemi dhe të flasim për tre orë dhe të dalim si memecë pranë jush, mos kemi çka t’iu themi juve dhe qytetarëve. Shoh arsye që takimi i ardhshëm të bëhet vetëm për të arritur deri te marrëveshja”, tha ai.

Ish-kryeministri Mustafa theksoi se partia e tij nuk do të bëjë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje, nëse nuk është marrëveshje partneriteti, ku siç thotë ai dy palët do të ndiheshin të fuqishme.

Mustafa: S’duam marrëveshje për bashkëqeverisje nëse s’është marrëveshje partneriteti

“Ajo është ofertë që ne e kemi trajtuar gjatë bisedave tona, ne kemi kërkuar që LV pas datës 26 të sqarojë pozicionin e saj lidhur me partneritetin e mëtutjeshëm dhe si e shohin ata vendin e LDK-së në këtë partneritet. Së pari të sqaroj që ne nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje nëse nuk është marrëveshje partneriteti, në të cilën dy palët do të ndiheshin të fuqishëm për aq sa kanë marrë besimin e qytetareve të Kosovës. Në këto biseda ne e kemi dhënë pozicionin e saj për mënyrën se si të përafrohemi dhe gjejmë zgjidhje, pa marrë parasysh si e cilësojmë në si zgjidhje politike, si ofertë ose si bazë për arritje të marrëveshjes, ato kanë qenë qëllime të tona dhe kemi pritur se LV do t’i mirëpret në mënyrë që vendi të ketë zgjidhje nga zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

I pyetur për unitetin brenda partisë, pas deklaratave të ndryshme të dy nënkryetarëve të LDK-së, Mustafa tha se ata janë parti e madhe dhe se të gjitha kanë të drejt të thonë mendimet e veta.

Mustafa: Ne jemi parti e madhe, njerëzit kanë drejt të i thonë mendimet veta

“Ne kemi një parti shumë të madhe, ku njerëzit kanë të drejt të thonë mendimin e vet”, tha ai.

Ndryshe, dje Lëvizja Vetëvendosje i ka paraqitur një ofertë të re LDK-së, ku parashihet rritja e ministrive nga 12 në 14, ku partisë së Isa Mustafës do t’i takonin 6 sosh. Derisa sot i është kundërpërgjigjur, kjo e fundit, ku i kanë përcjellë me shkrim ofertën e 6 janarit ku ministritë ndahen 5-5, posti i kryeparlamentarit i takon LDK-së dhe po ashtu kërkojnë zotim për propozimin e tyre për president.

***

 Pas mbledhjës së kryeisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, lideri i kësaj partie, Isa Mustafa i tha mediave se takimi i ardhshëm do të jetë takimi i fundit me Vetendosjes.

Ai tha se ata nuk mund të takohen më për takime të gjata 3 - 4 orëshe.

“Unë shoh arsye që të bëjmë arrëveshje partneriteti dhe respektimeve reciproke. Ne do të bëjë përpjekje që takimi i ardhshëm të jeë takimi i fundit dhe nëse ka vullnet ai kryhet për gjysmë orë, brenda kësaj jave epilogu duhet të jetë i organeve tona”.

***

Drejtpërdrejt nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Pas kreut të LDK-së, Isa Mustafës, në zyret qendrore të kësaj partie ka arritur edhe ish-deputeti Ismet Beqiri.

Deri më tani zyrtarët nga kjo parti nuk kanë pranuar të deklarohen se për çfarë po diskutohet në këtë takim.

Gjatë ditës së djeshme Vetëvendosje përmes një ofertë që i ka bërë LDK-së, i ka ofruar kësaj partie numër më të madh të ministrive, kjo në mënyrë që të gjejnë kompromisë për koalicionin qeverisës.

Image

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka arritur në selinë qendrore të partisë.

Ende nuk është bërë e ditur se a do të flas dikush nga Lidhja Demokratike për vendimin që do të marrin për të pranuar ose jo ofertën e fundit që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Kujtojmë që pas publikimit të së njëjtës ka pasur edhe përplasje në mes të nënkryetarëve të kësaj partie, Agim Veliut e Vjosa Osmani.

Në anën tjetër, Mustafa ende nuk e ka komentuar këtë ofertë dhe nuk dihet nëse për të vendosur për të do të thirret Këshilli i Përgjithshëm i partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat