Albin Kurti publikon letrën e plotë që ia dërgoi Isa Mustafës

Aktuale

Albin Kurti publikon letrën e plotë që ia dërgoi Isa Mustafës

Nga: D.RR Më: 16 janar 2020 Në ora: 17:44
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Sot gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar letër Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes së cilës e ka refuzuar ofertën e partisë së Isa Mustafës, për ta rikthyer në bisedime postin e kryeparlametarin.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar letrat e plota që janë shkuar në adresë të LDK-së, ku ndër tjera Kurti i drejtohet dhe e kritikon Mustafën për pamundësinë e takimeve në zyre.

Kurti ia ka përkujtuar Musafës deklaratën e këtij të fundit për media, para se të votojnë Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit.

Letra e plotë:

I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,

Ju faleminderit për letrën tuaj dje. Përmbajtja e saj ishte e njohur për mua nga takimi i fundit që kemi pasur para një jave. Është për të ardhur keq që keni vendosur t’i ndërpreni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar të shkruaj letra thua se jemi kundërshtarë politikë apo jetojmë në kontinente të ndryshme. Unë besoj që ju, ose përfaqësuesit tuaj, duhet të ktheheni në tryezën e bisedimeve për t’u marrë vesh bashkë për qeverinë e re.

Mbi të gjitha, për të ardhur keq që ju vazhdoni të insistoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar Kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca. Për mua kjo qasje është jodemokratike.

Në njërën anë, në mbledhjen konstituive të Kuvendit të datës 26 dhjetor 2019, z. Glauk Konjufca ka marrë 75 vota në Kuvendin e Republikës, përfshirë këtu votat e 27 deputetëve të LDK-së. Votimi në Kuvend ishte i lirë, demokratik, i rregullt dhe transparent. Për qfarë shtetndërtimi demokratik mund të flasim në legjislaturën e shtatë nëse, sic propozoni ju, dy politikanë si puna e neve dyve bëjnë ujdi ta largojnë posteriori kreun e Kuvendit dh eta shfuqizojnë zgjedhjen e tij? Kosova e pavarur është Republikë demokratike në Evropën e shekullit 21, dhe jo monarki absolute nga Evropa e shekujve të kaluar. Institucionet e Kosovës nuk janë mjete partiake a personale për vlera shtetërore e demokratike. Ju lutem të hiqni dorë nga kjo mënyrë jodemokratike e veprimit politik. Ne të dy nuk jemi diktatorë, nuk nuk bën të sillemi a veprojmë si të tillë.

Në anën tjetër, më lejoni t’ua përkujtoj se qka keni deklaruar në konferencën për medie që keni mbajtur më 26 dhjetor 2019, më pak se tri orë para fillimit të mbledhjes konstituive të Kuvendit: “LDK-ja shprehë gatishmërinë që të votoj pa asnjë kusht, më 28 deputetët e saj formimin e institucioneve të reja, të drejtuara nga LVV, (…) Sa i përket ditës së sotshme, me Kushtetutë i takon Partisë e cila ka dalë e para që ta bëjë propozimin për Kryetar të Kuvendit. Do të thotë, në qoftë se  do ta kemi ndonjë kandidat që propozon LVV të jemi marrë vesh që deputetët tanë ta votojnë atë kandidat në mënyrë që mos të krijojmë pengesa Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.”

Më tutje, në pyetjen e gazetarit “Qka nëse e propozojnë dikë nga LDK, p.sh. znj Osmani? Qka nëse ka njerëz në LVV që e favorizojnë znj Osmani për Kryetare të Kuvendit, si do të jetë sjellja e LDK-së nëse ata prpozojnë dikë prej juve p.sh.?” – ju përgjigjeni: “(…) Unë mendoj që një gjë e tillë nuk do ta pranoj as znj. Osmani, nuk do ta pranojnë as deputetët tjerë të LDK-së dhe që ne do të thotë votojmë vetëm nëse ata propozojnë kandidatin nga radhët e atyre. Ndërkaq, kandidatët tanë i propozojmë ne dhe ata nuk mund ta marrin rlin e LDK-së sepse e kam parë që kanë dëshirë nganjëherë të përzihen në punët tona të brendshme, por ne po i themi rrini larg LDK-së, silluni si partner të mirë, silluni me respekt ndaj LDK-se sepse as ne nuk përzihemi se kë e votojnë ata nga partia e tyre, por as më pak se ne lejojmë që ata të na caktojnë kuardrat tona.”

 

I nderuar Kryetar i LDK-së, z. Mustafa.

Bujarisht ju kemi ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë (në raportin 6:5 të ministrive) juve si pasrti që keni daluar e dyta në zgjedhje. E kemi pranuar edhe qështjen e zgjedhjes së Presidentit e cila nuk është fare urgjente dhe për të cilën nuk kemi garuar. U treguam më shumë se të gatshëm ta rrisim pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, në pushtet. Mirëpo, nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh. Zgjedhje e z. Konjufca ishte legale dhe legjitime.

Qeverisja jonë e përbashkët që e synojmë do ta kishte ogur dort të keq nëse për gur themeltar ka bërjen kurban të Kryetarit të Kuvendit, në këtë rast z. Glauk Konjufca, dhe shkeljen e vullnetit të lirë të deputetëve të Kuvendit që e zgjodhën atë.

Për më tepër, më 26 dhjetor 2019 ka filluar c’kapja e shtetit nga regjimi që ende mbetet në fuqi: ne krye të Kuvendit, në vend të zotërinjve Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, tash kemi z. Glauk Konjufca dhe znj. Arbërie Nagavci. Pse ta anulojmë këtë hap të rëndësishëm përpara? Pse të kthehemi prapa?

Ne nuk mund të kthehemi para 6 shtatorit 2019, kur e keni refuzuar ofertën timë për koalicion parazgjedhor LDK-LVV. Nuk mund të kthehemi paara 6 tetorit 2019, kur populli ende nuk kishte votuar. Nuk mund të kthehemi para 26 dhjetorit 2019, kur e keni refuzuar ofertën time për kryeparlamentar të LDK-së.

Ju keni të drejtë të jeni penduar dhe të kërkoni nga Grupi Parlamentar i LDK-së që po ashtu pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë Kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z. Konjufca më 26 dhjetor 2019. Pra, përveqse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa ta shkarkoni z. Konjufca. Por, unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë.

Ka nevojë për largim të zyrtarëve të korruptuar nga institucionet e shtetit të kapur të Kosovës. Nuk është z. Konjufca i tillë. Ka nevojë për ndryshim të vendimeve të importuara mbi Kuvendin e Kosovës. Nuk është zgjedhja e z. Konjufca e tillë.

Për Republikën dhe demokracië, hiqni dorë nga largimi i Kryetarit të ri e legjitim Konjufca dhe kthehuni në tryezën e bisedimeve për marrëveshjen për qeverinë.

Me respekt,

Albin Kurtit, Kryetar i LVV

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat