Thaçi: Kosova ka përmbushur kriteret për viza, por shtetet e BE-së nuk janë unike

Aktuale

Thaçi: Kosova ka përmbushur kriteret për viza, por shtetet e BE-së nuk janë unike

Më: 17 janar 2020 Në ora: 14:38
Pamje nga konferenca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën vjetore të prokurorëve, deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave duke përfshirë edhe luftën kundër krimit e korrupsionit, por vendimmarrja nuk po ndodhë për shkak të mosunitetit të shteteve të BE-së.

Thaçi duke iu drejtuar prokurorëve, tha se nuk duhet të punojnë vetëm për të përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por për të forcuar shtetin e Kosovës dhe ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve.

Ai tha se nëse prokurorët e kryejnë punën me përkushtim, është i bindur se Kosova do të jetë një vend më i fortë dhe më i mirë për të jetuar.

Thaçi: Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim, është çështje e mosunitetit të BE-së

“Kushdo që flet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e lidh tash me liberalizim të vizave, e them edhe një herë e ka gabim. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të vazhdojë, është luftë permanente. Por, Kosova çështjen e liberalizimit të vizave i ka përmbushur të gjitha kriteret 95 prej tyre, madje kemi nga Bashkimi Evropian edhe vlerësimin në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu që, nuk është vetëm kjo hallkë ose kjo çështje që ndërlidhet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne kemi implementuar kriteret për liberalizimin e vizave më tepër se çdo vend tjetër në rajonin tonë, por është çështje e mosunitetit apo vendimit politik të BE-së që nuk po i ndodh Kosovës liberalizimi i vizave, që Kosovës po i ndodh ky izolim, ky është fakt. Prandaj edhe deklaratat e ndonjë burokrati qoftë në Prishtinë ose jashtë Prishtinës që ndërlidhet me këto ç ështje iu them hapur juve nuk është e vërtetë, Kosova ka kryer të gjitha obligimet, ka implementuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, është çështje politike tash”, tha ai.

Kreu i shtetit ka folur edhe për krimet e luftës, ku tha se Kosova si asnjë vend tjetër ka kaluar në sistem të drejtësisë në faza të ndryshme për më tepër se 20 vite.

Ai tha se ka pasur lëshime në procesin e ndjekjes së atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë, ku shtoi se përveç lëshimeve në kuptim të mosefikasitetit në punë, ka pasur edhe një selektim në drejtësi, që sipas tij, janë ndjekur më shumë shqiptarët si viktima që kanë qenë.

Thaçi tha se në Kosovë janë mbi 13 mijë civil të vrarë, mbi 20 mijë gra të dhunuara, mbi 1 mijë fëmijë të vrarë dhe mbi 400 masakra, e për të gjitha këto ai theksoi se nuk ka ndodhur drejtësi.

Thaci: Për të gjitha këto krime që ka kryer shteti i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur drejtësi

“Për të gjitha këto krime që ka kryer shteti i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur drejtësi, as nga drejtësia e UNMIK-ut, as nga drejtësia e EULEX-it e as nga tribunali për ish-Jugosllavi, tribunali i Hagës. Para drejtësisë janë të gjithë të barabartë, por mund të them si viktima e komunitetit që ka qenë shqiptarët më tepër janë hetuar, më tepër janë gjykuar dhe më tepër janë dënuar, sesa ata që kanë kryer gjenocid, spastrim etnik dhe vrasje masive në Kosovë, pra njerëzit që kanë udhëhequr shtetin e Serbisë në vitet 98-99. Por, është një shqetësim, nga ajo që mund të konkludojmë është kjo edhe drejtësia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it ka konstatuar se ata që kanë kryer krime nga Serbia në Kosovë me ata nuk duhet të merremi ne si UNMIK dhe EULEX në Kosovë, duhet të merret Serbia. Kjo është 100 përqind amnisti për ata që kanë kryer gjenocid, spastrim etnik dhe vrasje masive në Kosovë, amnisti ndërkombëtare. Cili është rezultati nga kjo heshtje, nga kjo amnisti ndërkombëtare për gjenocidin e Serbisë, jo që kemi mohimin tash nga autoritetet e shtetit të Serbisë për masakrat në Kosovë, por me trimëri, guxim dhe në mënyrë shumë krenare pretendojnë të mohojnë krimet në Kosovë”, tha Thaçi.

Ai shtoi se është mirënjohës shteteve të Quintit që pas 20 vitesh folën për masakrën e Reçakut publikisht, për çka tha se më mirë vonë sesa kurrë.

Ndërkaq, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, tha se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe në ditët e para të këtij viti, sipas tij, ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.

Ai tha se kanë treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të ndalen nga askush, pasi sipas tij ky është interesi i shtetit.

Lumezi: Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë

“Publiku është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridiko-shoqërore. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së përfituar nga vepra penale, si dhe marrja e fuqisë ekonomike grupeve kriminale, nëpërmjet ngrirjes e më pastaj edhe konfiskimit të pasurisë. Të gjitha analizat serioze tregojnë se vetëm dënimi me burg i kryesve të veprave penale nuk lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit, por krahas dënimeve me burg duhet të nxirren edhe dënimet plotësuese për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare, por edhe vendimet për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me vepër penale... Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka treguar përkushtim në trajtimin e ras teve të korrupsionit, duke zgjidhur 400 dosje penale me 771 persona. Gjithashtu kemi zgjidhur 532 kallëzime penale me 712 persona që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare”, tha ai.

Lumezi potencoi se për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë kanë nevojë për njerëz profesionist, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, për çka u shpreh i bindur se njerëz të tillë gjenden brenda sistemit prokurorial.

Kryeprokurori Lumezi tha se institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar edhe në vitin e kaluar kanë treguar se janë të vendosur të kontribuojnë në luftën kundër terrorizmit. Në këtë drejtim ai tha se kanë rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, me ç’rast kanë arritur në mënyrë të suksesshme të kthejnë në Kosovë 110 kosovarë të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, dhe për një numër të tyre kanë filluar edhe procedurat penale.

Sa i përket krimeve të luftës, ai tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, ndërsa tha se përveç që janë duke bërë identifikimin e ngjarjeve të cilat po trajtohen me prioritet, janë duke bërë përpjekje që të mbledhin dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale.

Ai tha se për fat të keq struktura të caktuara me nisma të ndryshme po nxisin urrejtje ndaj Prokurorisë, duke i mohuar rezultatet e punës në të gjitha fushat, me qëllim që ta paraqesin Prokurorinë si të dështuar. Për këtë, ai tha se sot sistemi prokurorial është shumë hapa përpara asaj që ka qenë në të kaluarën.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Bahri Hyseni, tha se ndjehet krenar për të arriturat që kanë pasur gjatë vitit të kaluar, ndërsa tha se ndjehet i vendosur që të vazhdojnë në avancimin e sistemit prokurorial duke aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimin e prokurorëve.

Ai tha se do të vazhdojnë të ngrisin nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve dhe transparencës. Hyseni tha se kanë arritur që për herë të parë pas shumë viteve të rekrutojnë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe aktualisht në sistem kanë numrin e mjaftueshëm të prokurorëve.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, tha se sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë ka nevojë të përmirësohen.

Kreu i Gjykatës Supreme tha se sfidë mbetet konfiskimi  i pasurisë së kryerësve të veprave penale, ku ai tha se ka pak konfiskim për çka tha se duhet të ketë një përkushtim duke e ditur rëndësinë e konfiskimit në goditjen e krimit.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se gjatë dy viteve që ka drejtuar ministrinë e Drejtësisë është munduar të fuqizojë sistemin prokurorial dhe gjyqësor në vend.

Ai tha se tashmë nuk është pengesë numri i prokurorëve për zbatimin efikas të ligjit. Tahiri duke iu drejtuar prokurorëve tha se i pret një punë e madhe për konfiskimin e pasurisë, por që tha se e kanë bazën për ta konfiskuar çdo pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme.

Zëvendës shef i misionit të ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, tha se janë të përkushtuar të ndihmojnë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit.

Giacobbe: SHBA është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit

“SHBA është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit. Dy nga prioritetet kryesore të Ambasadës Amerikane  në Kosovë mbesin që  ta ndihmojë Kosovën për të e  luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për t’i ndihmuar  prokurorëve për t’u  përmirësuar  në punën tuaj sfiduese, por ne mund të ju ndihmojmë  që të arrini këto qëllime vetëm nëse dëshira e juaj  është më e madhe se e ajo e jona. Kosova është vendi i juaj  dhe do të vijë dita kur burimet  ndërkombëtare që tash  për tash i   keni në dispozicion, nuk e dimë kur, por do të vijë dita kur këto mjete do të shterren  andaj ju lus që ta shfrytëzoni mundësinë para se të bëhet vonë, t’i shfrytëzoni këto burime. Arsyeja pse ua kumtoj këto gjëra të vështira është se e dimë që mund të arrini kaq shumë, madje edhe në luftën ndaj korrupsionit, por duhet që të e dëshironi këtë, tha ai.

Duke iu drejtuar prokurorëve, ai u tha se duhet t’i bëjnë ballë përpjekjeve nga politikanët apo kriminelët që të ndikohen.

Edhe zëvendës shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Riccardo Serri, tha se prokurorët duhet të jenë të lirë nga ndikimet e jashtme, e sidomos nga politika.

Ai tha Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, por që tha se kur vije puna tek rastet e shenjestruara që lidhen me këtë proces puna duhet të vazhdojë.

Serri: Fatkeqësisht duhet të them se kohët e fundit nuk kemi parë progres të mjaftueshëm në këtë fushë

“Fatkeqësisht duhet të them se kohët e fundit nuk kemi parë progres të mjaftueshëm në këtë fushë, në fushën e rasteve të shenjëstruara për disa arsye, mund të vijmë në konkluzion që rastet po procesohen shumë ngadalë në zinxhirin e drejtësisë dhe numri i gjykimeve dënuese dhe konfiskimeve është në nivel ekstrem i ulët”, tha ai.

Ai tha se BE do të vazhdojë të mbështetë Kosovën për të siguruar një sistem prokurorial të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat