Studiuesi i emigrimit: Jo gjithmonë ata që ikin jashtë Kosovës e marrin atë që ëndërrojnë - Bota Sot
Studiuesi i emigrimit: Jo gjithmonë ata që ikin jashtë Kosovës e marrin atë që ëndërrojnë

Aktuale

Studiuesi i emigrimit: Jo gjithmonë ata që ikin jashtë Kosovës e marrin atë që ëndërrojnë

Më: 19 janar 2020 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Studiuesi i emigrimit Kapllan Halimi, ka thënë se ata që largohen nga Kosova drejt vendeve të Evropës Perëndimore nuk e marrin atë që e synojnë dhe ëndërrojnë.

Ai thotë se ikja e profesionistëve është një kërcënim për stabilitetin e Kosovës.

“Nëse i pyet ata që emigrojnë, si arsye të parë e kanë atë ekonomike apo papunësinë, kurse si një arsye të dytë e vendosin jo një perspektivë e qartë politike, për t’iu ofruar atyre një perspektivë të mirë për të ardhëm e tyre. Kështu që të dyja janë të kombinuara, se ikja bëhet për një jetë më të mirë, për një ekonomi më të mirë familjare dhe për të ardhura më të mëdha, të cilët shpresojnë që mund t’i marrin në vendet evropiane dhe jo gjithmonë është ajo që ata synojnë dhe ëndërrojnë dhe atë se çfarë gjejnë në vendet e Evropës Perëndimore”, thotë ai.

Halimi tregon se deri më tani ka pasur ikje të fuqisë punëtore, sipas tij, tashmë ka filluar fenomeni i ikjes së trurit.

“Në Kosovë deri më tani ka pasur një ikje të fuqisë punëtore që kanë kërkuar punë dhe nuk e kanë zgjedhur se cilën punë ta bëjnë, kanë kërkuar punë për mbijetesë, kurse së fundmi ka filluar një fenomen i ikjes së trurit, i cili ka filluar me sektorin e shëndetësisë, e që po ikin në Gjermani dhe kanë një perspektivë të gjetjes së punës më lehtë dhe ata mendojnë se mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë më larg Kosovës”, tregon Halimi.

“Kosova nuk i ka pshtuar këtij fenomeni dhe është vendi që prinë me migrimin, ku kjo ka dy arsye; e para është se kemi një diasporë të madhe dhe shumica e tyre kanë anëtarë jashtë vendit, ku gjejnë më lehtë mundësi punësimi dhe për të kërkuar një mundësi më të mirë dhe e dyta, që ka filluar së fundmi, është ikja e trurit, ku po ikin profesionistët me një arritje të lartë arsimore e që mund të jetë një kërcenim për stabilitetin shtetëror të Kosovës”, shton ai.

Halimi shpjegon se krizat e shpeshta politike po e rrisin panikun e rinisë që të ikin jashtë Kosovës.

“Për qytetarin e thjeshtë është një shpresë, kurse për shtetin duhet të jetë një kambanë e madhe që duhet ta trajtojë këtë fenomen, duhet të ofrojë një perspektivë më të mirë. Krizat e shpeshta politike në Kosovë vetëm e rrisin këtë panik dhe këtë pasiguri tek rinia për të ikur jashtë. Edhe me zgjedhjet e 6 tetorit ka pasur një reflektim nga votuesit për kinse një perspektivë më të mirë dhe kriza e pas zgjedhjeve mund të shkaktoj një panik dhe një pasiguri lidhur me të ardhmen e tyre dhe lidhur me atë se çfarë do të bëjnë dhe ku është perspektiva e tyre, a është brenda Kosovës apo duhet të jetë larg në mërgim”, shpjegon Halimi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat