Ekskluzive: Dokument zyrtar serb që dëshmon vrasjen edhe vend-varrosjen e Grupit të intelektualëve mitrovicas në vitin 1999

Aktuale

Ekskluzive: Dokument zyrtar serb që dëshmon vrasjen edhe vend-varrosjen e Grupit të intelektualëve mitrovicas në vitin 1999

Nga: F.B Më: 19 janar 2020 Në ora: 14:17
Bajram Qerkini

Pse nuk zbardhet fati i personave të pagjetur në përgjithësi dhe personave dhe grupeve të caktuar për të cilat ka fakte e dëshmi për vendin e ndalimit, njësitet policore që kanë vepruar, dorëzimin tek njësitet territoriale ushtarake dhe varrimin e tyre, shtron pyetjen Bajram Qerkini familjar i personave të pagjetur, që end enuk di fatin e djalit të tij Reshatit.

Personat e pagjetur nga lufta e viteve 98-99 mbetet një plagë e pashëruar edhe mbi 20 vjet nga përfundimi i  luftës dhe gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar, që la mijëra viktima, mijëra të pagjetur edhe plagë familjare, që presin shërim edhe qetësi shpirtërore.

Në komunën e Mitrovicës sipas Bajram Qerkinit kryetar u Shoqatë “Zëri i Prindërve” që tash e 20 vite merret me hetimin, zbulimin dhe mbështetjen e familjeve me persona të pagjetur, ende mbetet enigmë fati i 116 personave, përkundër faktit se për shumë prej tyre ka deklarata e dëshmi për vendin e mundshëm të  varrimit pas kidnapimit, arrestimit e keqtrajtimit të forcave paramilitare e ushtarake serbe.

“Zyra e shoqatës është shtëpia e dytë e familjarëve që personave të pagjetur, ata këtu kanë adresën e informimit rreth rasteve, takimeve por edhe derën që i ndihmon kohë pas kohe, ato familje që janë në gjendje të rëndë sociale – ekonomike sipas mundësive që kemi” thotë Qerkini.

Ai sikur në secilin takim zyrtar të Këshillit të Personave të Pagjetur shpreh kritikën për institucionet edhe organizatat vendore e ndërkombëtare që nuk kanë bërë atë që kanë mundur në zbardhjen e fatit, duke lënë familjet e personave të pagjetur ne hall, amulli edhe vuajtje tash e 20 vite.

 

Ne si shoqatë fal komunikimit dhe hulumtimeve të kryera në secilën familje, kemi identifikuar mbi 12 vende të mundshme për varreza masive, prej të cilave disa ende nuk jane hulumtuar ose kanë nisur e nuk janë kryer, gjë që është për çdo kritikë ka thënë Qerkini.

Baci Bajram thekson se 6 vite pas prezantimit të dokumentin zyrtar dhe skicave lidhur me varrimin e dy trupave pajetë në varrezat myslimane në veri të qytetit, në fund të vitit që shkoi u bë zhvarrimi i tyre (Vehbi Zasella edhe Ahmet Strana, pse duhet të pritet aq gjatë kur ka dëshmi edhe fakte, që kemi sigurua vetë dhe që i kemi deponuar e nuk po realizohen thotë Bajram Qerkini kryetar i shoqatës “”Zëri i Prindërve” në Mitrovicë.

Ky sipas Qerkinit është vetëm një nga shumë lokacionet që ende mbetën në listën e vendeve të dyshimta për varreza masive, që nuk janë hulumtuar, përkundër insistimit dhe kërkesës së vazhdueshme të shoqatës dhe familjarëve.

Në bazë të deklaratave dhe informatave që ka grumbulluar shoqata dyshohet se numri i personave të varrosur gjatë kohës së luftës në varrezat myslimane mund të jetë dukshëm më i madh, mirëpo përkundër fillimit të punës 6 vjet më parë, procesi ende nuk është kryer.

Përndryshe në Mitrovicë dhe regjion janë edhe të paktën 7 vende, për të cilat ka dyshime të hapura se mund të ketë mbetje mortore të vrarë dhe kidnapuar në vitet e luftës dhe krimeve serbe ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në vitet 98-99.

Qerkini ka theksuar për “Bota Sot” se do të insistoj nga Komisioni qeveritar për persona të pagjetur dhe mjekësia ligjore që të hulumtohen të gjitha këto vende të dyshimta, në mënyrë që familjarët e personave të gjetur të heqin barrën e madhe që mbajnë në shpirt për zbardhjen e fatit të personave më të dashur.

Në këtë listë të vendeve të dyshimta, njëri ndër rastet më tmerruese që mbetet enigmë tash e 21 vjet mbetet rasti i grupit të intelektualëve të Mitrovicës prej 28 personave (shumica me shkollim të lartë ), të cilët në prillin 1999 në rrugëtimin për shpëtim dhe largim nga Kosova kapen nga forcat policore në Dreth të Zubin Potokut dhe pas ndalimit ata vriten, me përjashtim të 5 prej tyre që shpëtojnë pasi ndahen nga grupi para ndalimit.

Baci Bajram prezanton ekskluzivisht një dokument sekret ushtarak, ku thuhet qartë për grupin, vendin ku është ndaluar, përgjegjësia e njësitit policor serb dhe më pas njofton edhe vendin ku ata janë varrosur, ndërkohë që përkundër kësaj institucionet tona nuk kanë bërë ende asgjë për  gjetjen , hulumtimin dhe zhvarrimin e tyre.

Lista e personave të grupit të intelektualëve mitrovicas që arrestuar në Dreth dhe  pastaj të varrosur në lokalitetin Kolludër të komunës së Zubin Potokut

1.Adem Ademi 2.Sahit Rushit Berani 3.Adem Beqiri 4.Hasan Dervari 5.Idriz Rrecaj 6.Demir Sadri Ahmetaj 7.Zymer Mziu 8.Hasan Mziu 9.Bekim Mziu 10.Sali Mziu 11.Selim Mziu 12.Xhevdet Mziu 13.Xhemail Mziu 14.Shaqir Mziu 15.Samir Mziu 16.Tahir Mziu 17.Shaip Ujkani 18.Mahi Ujkani 19.Faton Ujkani 20.Shkelzen Ujkani 21.Naim Ujkani 22.Fatmir Fazliu 23.Ali Dervishi

Nga ky grup njerëzish shpëtuan: 1.Faruk Brahim Spahiu 2.Xhevat Zejnullahu 3.Ismet Ferizi 4.Xhafer Smajl Behrami 5.Shaban Syl Abazi

Kreu i shoqatës “Zëri i prindërve” Bajram Qerkini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës , Komisioni Qeveritar për personat e pagjetur, Mjekësia Ligjore dhe organizatat ndërkombëtare posaçërisht ato në vendin tonë si EULEX e KFOR që të krijojnë hapësirë veprimi edhe kushte për hulumtimin rreth rastit të grupit të intelektualëve, përfshirë edhe hetimin për njësitet policore e ushtarake që kanë marr pjesë në ekzekutimin edhe më pas varrimin e grupit ( që njihet si grupi i doktor Adem Ademit).

Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni dhe presion ndaj pushtetit serb që të hap arkivat ushtarake edhe policore dhe bazuar në to të bëhet zbardhja e fatit të personave të pagjetur në vendin tonë, pasi sipas Qerkinit ata kanë shënime edhe dokumente për secilin persona te rrëmbyer, kidnapuar, arrestuar, vrarë e ekzekutuar gjatë periudhës së luftës.

Ai nuk ka ndenjur duarkryq dhe po tenton që përmes kontakteve me kreun e KFOR dhe institucionet tjera të sensibilizoj dhe të nxis veprime konkrete duke nisur nga hulumtimi në Kolludër, përfundimi i hulumtimit në varrezat myslimane si në pjesën te varrezat po ashtu edhe përballë varrezave poshtë rrugës Mitrovicë –Zveçan ku dyshohet për varreza nga koha e luftës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat