Memli Krasniqi tregon nëse PDK do t’i përgjigjet ftesës së VV-së dhe LDK-së

Aktuale

Memli Krasniqi tregon nëse PDK do t’i përgjigjet ftesës së VV-së dhe LDK-së

Më: 20 janar 2020 Në ora: 06:15
Memli Krasniqi

(E plotësuar) - Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Memli Krasniqi ia ka bërë me dije Albin Kurtit se si mandatar për formimin e qeverisës do të ketë përgjegjësi në rast të vonesës për formimin e institucioneve të reja, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshje finale.

Pas mbledhjes së parë të Kryesisë së re të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se kreu i Vetëvendosjes duhet ta di se jeta institucionale nuk është video-lojë, duke iu referuar mesazhit të tij të mëhershëm drejtuar LDK-së lidhur me formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re të vendit.

Krasniqi: Albin Kurti duhet të dijë që jeta institucione nuk është video-lojë

“Kanë kaluar rreth 106 ditë prej kur kanë përfunduar zgjedhjet, kanë kaluar më shumë ditë prej certifikimit të rezultatit zgjedhor se sa prej zgjedhjeve deri në certifikim dhe ne sot nuk kemi ende as qeveri e as institucioneve të konsoliduara, për fat të keq as kuvend funksional përkundër që atë tashmë e kemi konstituuar. Kërkesa jonë në vazhdimësi prej 6 tetorit në mbrëmje ka qenë që ata që kanë kërkuar dhe kanë marrë mandat, sa më herët dhe sa më shpejt t’i përmbushin obligimet e tyre, kjo gjë nuk ka ndodhur. Albin Kurti si mandatar duhet të dijë që jeta institucionale nuk është video-lojë. Dhe lojërat me video nuk kryejnë punë të cilat i presin qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Krasniqi ka theksuar se duhet t’i rikujtohet kryetarit të LVV-së, që nuk është përgjegjësi vetëm marrja e një letre, por krijimi i institucioneve. Mes tjerash, tha se barra për bllokada dhe vonesa në formimin e institucioneve i bie Albin Kurtit.

Ai theksoi se nuk kanë marrë ndonjë ftesë për bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe nëse do të ndodhte një gjë e tillë, Krasniqi tha se PDK nuk do t’i përgjigjet këtyre ftesave.

Krasniqi: PDK nuk do t’iu përgjigjet ftesave të VV dhe LDK-së

“Ne kemi bërë të qartë që në këtë mandat ne qëndrojmë në opozitë, dhe kjo nuk ndryshon, pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve, ndryshimit të pozitave, fjalëve qoftë të LVV-së, të LDK-së nuk ndryshon fakti që ne vazhdojmë të qëndrojmë deri në zgjedhjet e ardhshme në opozitë. Dhe në këtë kuptim jo që nuk kemi marrë ftesa, por edhe sikur të merrnim ftesa ne nuk do t’iu përgjigjeshim atyre ftesave, sepse përgjigja jonë është e qartë”, ka shtuar ai.

Vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Kryesisë,  sipas tij, janë të përkohshme dhe ato do t’i nënshtrohen rishikimit potencial në rastin kur do të ketë një shumicë parlamentare.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar kërkesa për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore-SEECP, dhe për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

***

 Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Memli Krasniqi, deklaroi sot se barra për bllokada dhe mos formimin e institucioneve do t'i bie Albin Kurtit.

Pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se nuk kanë marrë ndonjë ftesë për bisedime me LDK-në dhe Vetëvendosje, por edhe nëse do të ndodhte një gjë e tillë, PDK nuk do t’i përgjigjet këtyre ftesave.

"Ne sapo jemi në përfundim të mbledhjes. Diskutuam për dy-tri pika. Fatkeqësisht ka kaluar një muaj prej kur është formuar kjo kryesi. Delegacionet që i diskutuam kishin disa dilema. Kanë kaluar rreth 106 ditë kur janë mbajtur zgjedhjet dhe ne sot nuk kemi as qeveri. Kërkesa jonë prej 6 tetorit ka qenë që ata që kanë marrë mandat t’i përmbushin. Lojërat me video nuk i kryen punë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet t’ia rikujtojmë që nuk është përgjegjësi për të marrë një letër, por të formohen institucionet. Barra për bllokada i bie Albin Kurtit. Ju e dini që në muajin mars mund të ketë bllokada për shkak të buxhetit, pasi qytetarët nuk e meritojnë këtë", tha ai.

***

Ka nisur mbledhja e parë e kryesisë së re të Kuvendit të Kosovës e thirrur nga kryetari Glauk Konjufca.

Rendi i ditës parashikon shqyrtimin e kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore-SEECP.

Si dhe shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

Image

***

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thirrur për sot mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Legjislaturës VII. 

Në këtë mbledhje kryesia do të bejë shqyrtimin e kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore-SEECP.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje do të behët edhe shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat