Deputeti i VV-së bëhet ‘pishman’ për gabimet gjuhësore

Aktuale

Deputeti i VV-së bëhet ‘pishman’ për gabimet gjuhësore

Më: 20 janar 2020 Në ora: 22:27
Jahja Kokaj

Deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës nga radhët e VV-së, Jahja Kokaj, sot gjatë ditës ka publikuar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, me plot gabime drejtshkrimore.

E pas kësaj, Kokaj ka reaguar duke thënë se ka jetuar 31 vite jashtë vendit, duke ligjëruar në universitete amerikane, dhe si pasojë e kësaj, i ka harruar rregullat e drejtshkrimit.

“Unë pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në diasporë, përfshirë shkollimin akademik, ku kryesisht edhe sot e kaloj jetën, duke ligjëruar në universitete amerikane në anglisht, prej 31 vjet, e gati gjysmën e jetës. Për kaq kohë, shumë njerëz e harrojnë gjuhën dukshëm, dhe jo më rregullat e drejtshkrimit, madje edhe të menduarit shqip”, ka shkruar Kokaj në Facebook.

Ai më pas, e ka rregulluar shkrimin duke i vendosur fjalët, presjet dhe rregullat e tjera drejtshkrimore.

Ja shkrimi i tij:

Të nderuar Miq dhe të tjerë,
Jam koshient që drejtshkrimi është shprehje e kulturës së një intelektuali.
Unë pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në diasporë, përfshirë shkollimin akademik, ku kryesisht edhe sot e kaloj jetën, duke ligjëruar në universitete amerikane në anglisht, prej 31 vjet, e gati gjysmën e jetës. Për kaq kohë, shumë njerëz e harrojnë gjuhën dukshëm, dhe jo më rregullat e drejtshkrimit, madje edhe të menduarit shqip.
Nëse shikoni në google shihni që kam rreth 100 punime shkencore të shkruara, të botuara në revista prestigjioze ndërkombëtare, por natyrisht të shkruara anglisht, nuk besoj që mund të gjendet ndonjë gabim, madje as drejtshkrimor.
Gjatë qëndrimit në diasporë kam botuar disa libra, por që për herë të parë ata tituj paraqiten në gjuhën shqipe. Njëri është në përdorim në UP, ku jam autor së bashku me prof. Dr. Nebi Cakën, të parin libër të asaj fushe – teknologjisë, në historinë shqiptare, të botuar në Kosovë dhe një tjetër libër e kam botuar në Shqipëri, botim i Universitetit të Tiranës me titull “Teknologjia laserike”, po ashtu bashkautor me njeriun që e mentoroja prof. Dr. Dritan Spahiun. Edhe ky libër për laserët për herë të parë është botuar nga Universiteti i Tiranës.
Në bashkautorësi (unë autor i parë) kemi botuar një libër me profesor Sami Repishtin, City University N. Y dhe prof. Mirela Bogdanin, nga Universiteti i Kembrixhit. Kam shkruar libra edhe nga politika. Por, ato i lekturuan profesionistët para se të botoheshin.
Pra këta dy libra e lartëpermendura, me përmbajtjet e tyre për teknologjinë moderne të laserëve dhe të kompjuterit optik, formojnë histori në botimet shqip. Natyrisht ata janë të shkruar drejt pas lekturimeve profesionale.
Duke kërkuar falje për shkrimet që postova pa I rilexuar, po e ripostoj artikullin e fundit pas rileximit, me premtim që tani e tutje do ti rilexoj të gjitha postimet. Ju falem nderit për mirëkuptimin.
Me dashamirësi Dr. Jahja Kokaj

Pason artikulli që me kujdes e rilexova:

ÇKA PAS MOSMARRVESHJES EVENTUALE: SKENARI OGURZI PËR KOSOVËN
Konsideroj që rrënjët e problemit serioz para të cilit gjendet Kosova, kanë burim qindravjeçar të kthetrave serbe, të cilat na i hoqi Amerika me aleatët perëndimor, kur interesat e tyre gjeopolitike rezonuan me përpëlitjet tona, për të dalur nga robëria shekullore.
Gjithsesi duhet të rekognisohet (njihet) kontributi atdhetar i bijave dhe bijve tanë, UÇK-së që me idealet e tyre rinore që derivoheshin nga varfëria dhe vuajtjet e tyre fëmijërore dhe të prindërve të tyre, dolën në male me armë në dorë, për ta kërkuar para botës liridashëse, lirinë, jo vetëm me fjalë por edhe me gjak.
Kthetrat serbe u hoqën nga shtrëngesa fizike e vënë në qafen tonë kombëtare, në ditën kur u nënshkrua kapitullimi nga Serbia pa kushte nën çadrat në Kumanovë në vitin 1999. Por, pavarësisht kapitullimtn në fjalë, pavarësinë nuk na e dorëzuan neve të plotë, e mbetur zvarrë si duket nga balancimi i interesave, gjithsesi gjeopolitike edhe premisave ruso-serbe dhe të disa shteteve europiane. Freni i pavarësisë së plotë ishte Pakoja e Ahtisaarit, njeriut që me gjenialitetin e tij diplomatik projektoi dy mundësi, të cilat do të filtroheshin, duke dalë në pah, njëra prej tyre.
a) Realizimi gradual kohor i pavarësisë së plotë, nëpërmjet zhvillimit të fuqishëm ekonomik dhe konsolidimit politik në Kosovë, apo
b) Degradimi i pavarësisë dhe integritetit edhe territorial, i cili në rast të gjenerimit të një kaosi degradues shoqëror, ekonomik dhe tërësisht jetësor në Kosovë, aktivizon kthetrat serbe, në kushtet e pavarësisë së cunguar, të cilat mund të veprojnë, fillimisht nga distanca, që pastaj t’i realizojnë qëllimet e tyre, e të cilat si vegëz e kanë kushtetutën-preambulën e saj.
Djemtë tanë që na e zbardhën faqen me heroizmat e tyre luftarake, timonin e zhvillimit shtetërorë e shoqëror e çuan kah degradimi i të gjitha poreve jetësore, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë etj. Ndoshta për faktin që na futën në këtë humnerë degraduese, në radhë të parë arsimore dhe të të gjitha të tjerave që derivohen nga kjo, nuk e ndjejnë fajin, ngase duke dal nga varfëria dhe kushtet e përmendura të kthetrave serbe, futen në një mëshikëz psikologjike të bollëkut, jetës së ëmbël duke gjeneruar korrupsionin dhe të gjitha fatkeqësitë tona nëpërmjet strategjive të tyre sunduese, me të cilën kurrsesi nuk pranojnë të zbresin nga bollëku marramendës, prestigji dhe luksi në llogari të gjenerimit të varfërisë dhe degradimit të skajshëm të vendit.
Kjo ishte dëshira dhe pritja e bashkë-kasapëve të Millosheviçit që sot akoma sundojnë në Beograd. Në këtë situatë të brishtë, kthetrat serbe të përmendura, me teledirigjim, afrohen fizikisht duke gjetur aleat te disa djem, që në ditët e luftës, në malet tona ishin yndyra e kombit. Kjo simbiozë tani forcon kthetrat serbe, shfaq jo vetëm stagnimin, por degradimin dhe kemi ç’njohjet nga disa shtete, duke degraduar pavarësinë edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Përpëlitja e qytetarëve në Kosovë në këtë teposhtëze apo gradacion negativ, tani edhe rapid, e bën jetën e tyre të padurueshme. Nga mllefi, dëgjohen zëra, “po këta qenkan më të këqij se kthetrat serbe”, që unë mendoj, kurrsesi nuk mund të jetë ashtu, përkundrazi.
Të gjitha fatkeqësitë tona nëpërmjet strategjive të tyre sunduese, me shfrytëzimin e të cilave kurrsesi nuk pranojnë të zbresin nga bollëku marramendës, prestigji dhe luksi në llogari të gjenerimit të varfërisë dhe degradimit të skajshëm të vendit. Pra, interesi strategjik dhe inercioni i nevojave të tyre për luksin e privilegjeve, dhe frika e humbjes së pasurisë, bën që nuk do të lënë gur pa rrotulluar, për të mos lejuar zbritjen e tyre nga pushteti apo kthjellimin e Kosovës kah zhvillimi apo progresi.
Fjalët e mikut tim, politologut gjerman, se ata do të përdorin strategji edhe të padukshme për ti ruajtur bollëqet dhe privilegjet, më kujtohen sot kur gjenerohen nyje të çuditshme të moslidhjes së marrëveshjes, deri më tash. Edhe fëmiu e kupton që posti i presidentit nuk ishte pjesë e aktivitetit zgjedhor, por futet si "casus belli". Kur ai problem tejkalohet lind problemi tjetër i çuditshëm. Votohet Glauk Konjufca nga LDK-ja, për ta kërkuar pastaj shkarkimin(?), por ata që e votuan për këtë qëllim, nuk duan ta shkarkojnë me votë edhe pse e kanë mundësinë. Mua më duket i çuditshëm, paradoksal apo problem non ekzistent, që sugjeron që edhe poqëse tejkalohet edhe ky problem, sikurse ai i pari marrëveshja nuk do të lidhet, nga se kontrollohet nga jashtë sistemit të këtyre dy partive.
Nuk mendoj që këto dy probleme, sipas mendimit tim, bizar mund ta pengojnë ndryshimin, i cili mund të jetë epokal, ndryshim që mund të gjenerojë situatë e ide të reja në mendësinë e spektrit të tërësishëm politik, jo vetëm brenda dy partive që mundohen të merren vesh.
Rikthimi i teposhtëzës politike të sundimtarëve 20 vjeçar, që sollën këtë situatë, do të shoqërohet me moment force edhe të kthetrave serbe që të gjithë i shohim se si na kanosen, kurse engjëlli ynë kujdestar Amerika, mund të ketë në çdo moment telashe tjera në kontinente të ndryshme, kur ne do të mbesim në mëshirën e të pamëshirshmëve.
Fatkeqësia mund të jetë edhe më e madhe, që instinkti i masave qytetare nëse sheh kanosjen e një rreziku të ri të vazhdimit të degradimit 20 vjeçar, druaj se do të acarohet tejmase. Duke pas frikë të rritjes së varfërisë, eksodeve dhe tkurrjes së padurueshme, mund të dalin në rrugë në mënyrë ekspanduese. Në atë rast, kam dro që nuk do ti besojnë as VV-së e as ndonjë partie tjetër. Do të donin ndryshim, por nuk do të dinë çfarë, në atë ç’akordim stihik duke gjeneruar anarki dhe kaos të mundshëm famëkeq. Ky skenar, kur do të humbej besimi dhe shpresa në secilin, rrezikohet të mbretërojë acarimi psikologjik i pa kontrolluar i
masave. Këtë gjendje nuk do t’ia dëshiroja as armikut.
Ndaj uroj që të lidhet marrëveshja, me të cilën ngadalë, por në mënyrë të sigurt do të krijohej një ndryshim i psikologjisë edhe kolektive, vlera e të cilit do të ishte reformimi edhe i partive që sunduan, të cilat konstituojnë shumicën. Ata me eksperiencën qeverisëse dhe ndryshimet e mendësisë që do të arrihej, pas një kohe në opozitë, do të ishin një forcë politike kredibile e së ardhmes fatlume afatgjate. Mendoj kështu do të rritej edhe uniteti ndërpartiak dhe qytetar, për të mbisunduar forcën diplomatike, por potencialisht edhe fizike të kthetrave serbe që aktualisht veprojnë në mënyrë teledirigjuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat