Ndërtimet në Badoc, VV akuzon Komunën e Prishtinës dhe MMPH-në

Aktuale

Ndërtimet në Badoc, VV akuzon Komunën e Prishtinës dhe MMPH-në

Më: 21 janar 2020 Në ora: 11:29
Eman Rrahmani

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me dhënien e pëlqimit dhe lëshimit të kushteve të ndërtimit në zonën e liqenit të Badocit, kanë shkelur ligjin. Sipas Vetëvendosjes me këtë veprim këto dy institucione kanë rrezikuar ujërat e Kosovës, për çka kanë ftuar Prokurorinë e Shtetit që të veprojë.

Kjo parti u ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të tërheqin vendimet e tyre, ndërsa është thënë se Komuna e Prishtinës duhet të parashtrojë padi ndaj Ministrisë së Mjedisit që ka obliguar Komunën e Prishtinës që të lëshojë kushtet e ndërtimit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, tha se me lëshimin e kushteve të ndërtimit Komuna e Prishtinës i ka dhënë mundësi kompanisë t’i plotësojë kushtet. Sipas saj, në momentin kur kompania plotëson kushtet ndërtimore, atëherë Komuna nuk do të ketë mundësi t’ia refuzojë lejen e ndërtimit.

Ajo tha se Komuna e Prishtinës nuk është dashur të marrë vendim që të caktojë kushtet e ndërtimit.

Pacolli: Komuna mban përgjegjësi dhe nuk është dashur të caktojë këto kushte

“Automatikisht, Komuna e ka lejuar kompaninë që të fillojë ndërtimet e saj. Pra, edhe pse Komuna po justifikohet se vendimin për përcaktimin e kushteve ndërtimore e ka lëshuar si pasojë e obligimit nga Ministria, ne konsiderojmë se e njëjta mban përgjegjësi dhe nuk është dashur të caktojë këto kushte. Komuna e Prishtinës ka vepruar plotësisht në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës numër 16/124 të datës 24.04.2013, ku janë caktuar zonat e mbrojtura dhe masat mbrojtëse për liqenin e Badocit. Ne ia përkujtojmë Komunës dhe Ministrisë se vendimi i qeverisë është marrë në përputhje të plotë me Ligjin për mbrojtjen e ujërave të Kosovës dhe udhëzimin administrativ për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura ujore dhe masat e tyre mbrojtëse për burimet e ujërave që përdoren për pije”, tha ajo.

Pacolli tha se vendi është duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm, e që sipas saj është për t’u brengosur se si në këtë moment krize MMPH po hesht, ndërsa Komuna e Prishtinës lëshon kushte ndërtimore.

Deputetja Pacolli deklaroi se Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës duhet të japin përgjegjësi për vendimet e tyre, ku ka potencuar se të dy këto institucione kanë shkelur ligjin dhe kanë cenuar ujërat e Kosovës.

Ajo tha se kjo është vepër penale dhe sipas saj Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë menjëherë.

Pacolli: Ministria dhe Komuna të japin përgjegjësi për vendimet e tyre

“Kjo nguti dhe kjo shpërfillje e ligjeve dhe vendimeve në fuqi në këtë moment kritik është dëshmi potenciale se një presion i madh interesash personale është në rastin e Badocit, pra kemi interesa personale të individëve të caktuar. Ne jemi kundër këtij projekti dhe të gjitha projekteve që cenojnë interesi publik. Mbështesim nismën qytetare për mbrojtjen e liqenit të Badocit dhe ftojmë Komunën e Prishtinës që menjëherë të tërheqë vendimin për kushtet ndërtimore, të parashtrojë padi ndaj Ministrisë për vendime jo ligjore, të cilat cenojnë mjedisin e Kosovës. Vendimi nga Ministria me numër 67/19 që obligon Komunën të lëshojë kushtet ndërtimore është kërkesë për shkelje të ligjit, të cilën tashmë  Komuna e Prishtinës e ka aplikuar. Ftojmë Ministrinë që menjëherë të tërheqë vendimet kundërligjore. Ministria dhe Komuna të japin përgjegjësi për vendimet e tyre, Ministria dhe Komuna të ndalojnë menjà «herë të gjitha projektet ndërtimore në zonën që rrezikohen ujërat në liqenin e Badocit”, tha ajo.

Edhe asamblisti i LVV në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, tha se mbështetin të gjitha iniciativat qytetare që luftojnë për ndalimin e projektit në Badoc.

Rrahmani: Komuna dhe Ministria kanë shkelur ligjin me të dy këmbët në Badoc

“Komuna dhe Ministria kanë shkelur ligjin me të dy këmbët në Badoc. Duke lëshuar vendimin që i jep kushtet e ndërtimit për investitorët në bregun e liqenit të Badocit Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shkelur legjislacionin në fuqi dhe vendimet e qeverisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje mbështet iniciativat qytetare që luftojnë për ndalimin e këtij projekti në Badoc. Sipas analizave ligjore Komuna e Prishtinës ka lëshuar kushtet ndërtimore në kundërshtim me ligjin, sepse ajo nuk i ka shtjerr të gjitha mundësitë ndaj vendimit obligues të MMPH-së. Komuna është dashur që së bashku me padinë në rast se ka parashtruar Komuna të paraqesë në Gjykatë edhe kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të MMPH”, tha ai.

Pas bërjes publike të një projekti që është paraparë të ndërtohet në afërsi të liqenit të Badocit një grup i qytetarëve ka reaguar për të kundërshtuar ndërtimin. Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit u ka drejtuar pesë kërkesa për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Komunës së Prishtinës.

Kërkesa e parë është që të anulohet vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me numër protokolli A-76/2019 i datës 27.06.2019, me të cilin shfuqizohet vendimi i Komunës me të cilin palës i refuzohet kërkesa për dhënien e kushteve ndërtimore për lagjen në Badoc.

Kërkesa e dytë është që të anulohet vendimi i Komunës së Prishtinës i datës 26.12.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në Badoc.

Kërkesa e tretë ka të bëjë me harmonizimin e akteve nënligjore që rregullojnë mbrojtjen e zonave ujore: vendimi i Qeverisë se Kosovës 16/127 për Badocin, udhëzimin administrativ për normat teknike të planifikimit hapësinor dhe udhëzim administrativ MMPH – Nr.28/2014 për zonat e mbrojtura sanitare, me Ligjin Nr. 04/l-147 për ujërat e Kosovës.

Kërkesa e katërt ka të bëjë me nisjen e procedurave që zonën për rreth liqenit të Badocit të shpallet peizazh të mbrojtur duke e bashkuar me Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe në vendim të shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zonë.

Kërkesa e pesë ka të bëjë me ndalimin e planifikimit të lagjeve dhe objekteve turistike në zonat përreth liqeneve akumuluese dhe të merren masa të menjëhershme, për largimin e objekteve ilegale dhe legale që janë ndërtuar brenda zonës së dytë mbrojtëse (210 metra) të liqeneve akumuluese.

***

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me dhënien e pëlqimit dhe lëshimit të kushteve të ndërtimit në zonën e liqenit të Badovcit.

Asamblisti i LVV në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, tha se ministria dhe komuna kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët.

"Komuna dhe ministria kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët në Badoc. Komuna dhe ministria kanë shkelur legjislacionin në fuqi. VV mbështet iniciativat qytetare për mbrojtjen e këtij liqeni. Lejimi i ndërtimit të shtëpive në afërsi të liqenit rrezikon ujin”, tha ai.

Të njëjtat akuza për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit e pati edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

"Komuna ka lëshuar kushtet e ndërtimit, kjo i bie që komuna i ka dhënë kompanisë mundësinë t’i plotësojë kushtet. Por në momentin kur kompania plotëson kushtet, komuna nuk ka mundësi që mos t’ia japë lejen e ndërtimit. Ne konsiderojmë se komuna nuk është dashur të lëshojë këto kushte. Ne jemi dëshmitarë se Prishtina dhe gjithë Kosova po përballet me mungesë të ujit, ministria hesht, ndërsa komuna lëshon kushtet ndërtimore”, tha ajo.

Pacolli ftoi ministrinë dhe komunën që ndalojnë ndërtimet në zonën e Badovcit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat