Nëse do të ishte gjallë Ibrahim Rugova

Aktuale

Nëse do të ishte gjallë Ibrahim Rugova

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 21 janar 2020 Në ora: 17:46
Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova vdiq 14 vjet më parë duke e lënë Kosovën me një mungesë aq të rëndë e traumatike qysh para lindjes së saj.

Vdekja e Rugovës ishte e rëndë. Jo aq për familjen e saj sa për Kosovën që po priste në atë kohë Planin e Ahtisaarit dhe po bëhej gati të shpallte Pavarësinë e vendit. Mund të thuhet që vendi ynë u lind jetim, pasi babai i vdiq dy vjet më herët.

Por, të merremi pak me figurën e tij më konkretisht.

Gjithçka që shohim sot është pasojë ose produkt i mungesës së Rugovës. Pse? Sepse fjala e tij e kishte një peshë aq të madhe sa nuk mund të krahasohej me atë të asnjë zhurmaxhiu e pallavraxhiu të rëndomtë të politikës së atëhershme e të sotme. Ai fliste me një mënyrë të tillë, tepër konsistente, tepër të matur e të urtë, sa fjalët i peshonin nga shuma e heshtjeve të tij.

Ai na bëri që të kuptojmë veten tonë e fatkeqësinë tonë. Na njohu dhe na deshi. Por megjithatë me fjalët e tij na e ilustroi se ne nuk ishim mbretër të botës, se nuk ishim më të mëdhenjtë, se nuk ishim në qendër të universit. Nuk vuante ky njeri nga ego-ja e brishtë siç vuan çdo lider aktual. Kishte një ego aq gjigante sa edhe pse sulmohej me një ashpërsi brutale, heshtte dhe vazhdonte me punët e tij.

E çka të them për fjalët e tij? Secila më e zgjedhur se tjetra. Secila më me peshë se tjetra. Imagjinojeni presidentin tonë në kohën tonë, në kohën e portaleve. Ai do të bëhej institucioni i fjalës, autoriteti i pacenueshëm i fjalës. Pse? Sepse të gjithë janë llafazanë e zhurmaxhinj. Bëjnë potere e nuk thonë kurrgjë hiç. Sepse, edhe nëse kanë diçka të rëndësishme për të thënë, nuk kanë as rregullsinë, e as kredibilitetin e tij.

Ai kishte rregull në fjalë, kishte besueshmëri, e kishte maturi. Për më tepër, ai dinte edhe të heshtte.

Në kaosin e sotëm që po na i merr mendtë, Rugova është lideri që meriton të vihet në qendër. Jo si një statujë, siç është vënë, por si një mesazh i përditshëm, i qarkullueshëm e fluid, që do të na shkundtte nga llafet e egra e asgjëthënëse, nga poteret e politikës ditore, nga piskamat e frustrimeve që nuk ngihen me kurrgjë.

Rugova ishte një lider emblematik i një periudhe të rëndë për Kosovën. E e rëndë është bërë edhe kjo periudha e sotme. Jo sepse na rrezikon Serbia, por sepse na rrezikojnë të kompleksuarit që duan të jenë shpëtimtarë e janë thjesht llafazanë. Sepse na rrezikon qelbi i trupave të kalbur që duan të shihen, që vuajnë për vëmendje si fëmijët e llastuar.

E bash kështu u bë Kosova: një fëmijë i llastuar. Pse? Sepse nuk ka babain e saj që imponon respekt e autoritet. Që imponon zgjedhje të fjalëve. Që imponon rend mbi kaosin. Që kërkon t’i përkushtohemi punës për vendin, e jo rendjes pas krehjes së egos.

Në këto kohë pështjellimesh e kaosi, mungesa e Rugovës na trazon. Na mungon aq shumë sa nuk e di se si do të shkojnë punët në mungesën e një karizme të tillë. Në mungesën e një thjeshtësie të tillë. Unë jam njeri, në fund të fundit. Unë jam qenie e kufizuar. Injorante. Nuk di aq shumë. Kështu duket se thoshte me përulje e mirësi. E bash kështu nuk thotë më askush. Të gjithë janë mbinjerëz. Të gjithë janë qene të pakufizuara, me dije të pafundme. Të gjithë dinë aq shumë. Secili më shpëtimtar se tjetri. E vendi në fund të pusit.

Kthehu president, kthehu si një fantazmë e frikësoi këta mos-marrëveshës llafazanë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat